Nga Laert Skiro/

Kur e pashë sot presidentin e ri të Republikës, zotin Meta, në takim me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, më erdhi të dyshoj në kronikat televizive… Nuk është e mundur.

Nuk janë mbushur akoma 24 orë që nga momenti i inaugurimit të Presidentit të Republikës, dhe bash në këta minuta ai takohet me qeverinë e Maqedonisë… Takimi i parë ‘i jashtëm’ i Presidentit Meta…

Presidenti i republikës, me sa kam parë disa agjenda të tij, edhe vizitën e  parë jashtë vendit si President, do ta bëjë në Maqedoni…

Më duket se ka ndryshuar gjithçka. Po ndodh që përmbyset edhe filozofia e Rilindjes sonë Kombëtare (sado e vonuar) që kishte për moto “Dielli lind andej nga perëndon”.

Padyshim, Maqedonia është shteti ynë fqinj, bashkë-atdheu i shqiptarëve dhe i sllaveve të Maqedonisë. Është ai shtet i vogël që e kemi ‘si-vëllamë”.

Por strategjikisht, si Maqedonia edhe Shqipëria, kanë zgjedhur të ‘vështrojmë’ andej nga Perëndon. Takimi ose vizita e parë e kryetarit të shtetit ka një kuptim sa simbolik edhe strategjik. Pse ndryshoi këtë vit?

Nuk kam dashur ta besoj atë që pashë sot. Mund të lihej vizita e ministrit maqedonas vetëm me qeverinë…

Presidenti Meta ka pasur për detyrë që vizitën e parë ta kryente në Perëndim, nga kju frymëzohemi, ku kemi aleatët strategjik dhe ku aspirojmë të mbërrijmë.

Pas diktaturës komuniste, liderët e së cilës ishin orientuar në Lindje dhe thellë në Lindje, në lidershipi e Republikës së Shqipërisë lidi një sjellje e re, dinjitoze për pozitën e popullit shqiptar: Kryetarët e shtetit të Shqipërisë, vizitën e parë e kryen në Perëndim:

Presidenti i parë i republikës Demokratike, Sali Berisha, takimin e parë si president jashtë atdheut, e kreu në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë. Është presidenti i parë i Shqipërisë që në qershor 1992,u prit zyrtarisht nga presidenti Amerikan, Bush (i madh).

Rexhep Meidani, presidenti i dytë post- diktaturë, për herë të parë jashtë vendit, takoi Papa Gjon Palin e Dytë, prill 1998.

Alfred Moisiu, presidenti i tretë i Republikës, vizitën e parë e kreu në Itali, fqinji ynë Perëndimor.

… Na ishte krijuar një ‘traditë’ kaq e lartësuar, edhe pse shumë kush nuk e vinte re. Por me sa duket Perëndimi ishte më i kujdesshëm që i ftoi kryetarët e shtetit shqiptar të ‘kurorëzoheshin’ në Perëndim. Pastaj të vazhdonin punët në… Maqedoni, Kosovë, Athinë, Beograd ose Berlin….Por me sa duket Perëndimi nuk është më kaq simbolik dhe arkitekt i hijeshisë sonë shtetërore…

Nuk doja ta besoja sot Prsidentin Meta…

Veritas.com.al/