Frrok Çupi

Dje shkoi edhe një aktor dhe regjisor tjetër i madh shqiptar, Enver Petrovci. Ende nuk i ka ardhur ora e varrimit; por se ku do të jetë varri, kjo është edhe një çështje.

Kur Dhimitër Anagnosti, para disa ditësh, la fjalë që ta varrosin në Vuno, mu bë para syve edhe më artist se sa kishte qenë një jetë të tërë. Vunoi është vendi për t’u varrosur, thashë ndër dhëmbë. Anagnosti e ka edhe vendlindje. Por edhe sikur të mos e kishte, Anagnosti do të zgjidhte atë fshat të qetë, të heshtur në mrekullinë e tij, mbi det dhe mbi çdo maskarallëk që krijon njeriu i gjallë.

Do ta zgjidhte Vunon sepse kështu ishte edhe karakteri i tij: Larg banalitetit, afër më të bukurës e më të heshturës që kishte krijuar zoti.

Por ku janë varret e artistëve të tjerë?

Viti 2025 më është dukur si viti që, më shumë se asnjë tjetër, na shkuli lisat e pyllit tonë të botës shpirtërore, na mori artistë të mëdhenj. I fundit ishte Enver Petrovci. Pak para tij, Robert Redford, aktor dhe regjisor i madh. Në momente shumë të vështira ndodhet Bruce Willis. Na ikën artistë të muzikës Garth Hudson, Roberta Flack, Sly Stone, Marianne Faithfull, Rick Derringer, dhe Rick Davies; aktori Terence Stamp dhe kauntautori Arthur Hamilton.

Një pyll i tërë lisash të mëdhenj në jetën tonë, pavarësisht në cilin kontinent. Prandaj më bëhet sikur viti 2025 na dha një kolpo të fuqishme. Edhe disa nga artistët tanë si Anagnosti apo Petrovci, lisa të tillë janë; paçka se jemi një vend i vogël dhe të sapo dalë nga izolimi.

Përveç ‘Idiotit’ të famshëm, për të cilin ishte aktor dhe regjisor, Enveri luajti në filma që i dhanë të drejtën çdo idioti ta ‘varroste’ Enverin për së gjalli. Luajti në “Top je bio vreo”, “The War Is Over”, “Anatema”, “Black Flowers”, “Gorski vijenac”, “Bolji zivot 2”. Një pjesë në gjuhë serbo- kroatisht. Edhe kishte studiuar e ishte formuar si aktor në Beograd; kjo aq më keq. E quajtën tradhtar, e quajtën se ka lavdëruar Milloshevicin, e quajtën antishqiptar. Ky, po, ishte varri që po i bënin gati Enver Petrovcit. Por edhe varri fizik do të ishte një tokë e humbur, ndoshta në një fshehtësi të varrezave në Prishtinë, ku veç gruas dhe djalit, askush tjetër nuk do ta vizitonte. Bekim Fehmiu, një aktor i madh shqiptar, i studiuar në Beograd, i formuar si aktor po në këtë kryeqytet, një ditë u lodh nga ‘varri’ i hapur nga nacionalistët idiotë, dhe ia dha vetes. Amaneti i tij ishte të mos kishte varr; hiri u hodh në urën e Prizrenit dhe shkoi në det. Me këtë urrejtje e shikojnë idiotët edhe Robert De Niron, që e quajnë ‘shqiptar tradhtar’ pse ka ‘ka origjinë shqiptare’, por për zemër ka Beogradin dhe nobelistin Ivo Andric.

Artistëve, po nuk ua bëre ‘varrin’ qysh në të gjallë, marrëdhënia me ta merr kthesa të papritura. Siç mori më Eseninin, mbi varrin e të cilit pas 100 vjetësh hidhen çdo ditë lule të freskëta dhe i kanë ngritur një monument të bardhë. Por nuk është ky lloj varri për të cilin kanë nevojë artistët. Është Panteoni i tyre në të gjallë ku shkojnë jetën pa sulme, pa baltë, pa shpifje, pa sharje. Duhet shtresëzuar dhe sistemuar shoqëria në artistë, të tjerë dhe idiotë…

Enver Petrovci ishte një artist i dimensioneve të tilla që të krijon përqasje pa fund.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *