Reshjet e dëborës në qarkun e Kukësit, Korçës, Shkodrës e Dibrës kanë shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor. Ministria e Brendshme publikoi një listë të rrugëve problematike.
Në qarkun Kukës ka probleme në akset Kalimash – Morinë; Kukës – Ura e Zapodit; Krumë – Qafë Prush – Kam -B.Curri – Valbonë, ku vërehet prezencë e ngricave. Borëpastrueset po punojnë për t’i mbajtur hapur këto rrugë.
Qarku është përfshirë nga reshje të dendura dëbore ku lartësia në qytete shkon: Kukësi 12 cm, Has 25 cm, Tropojë 30 cm. Në lartësitë mbi 700 m lartësia e dëborës varion nga 30 deri në 50 cm.
Në qarkun Korçë, përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm në një pjesë të aksit rrugor Korçë – Dardhë.
Në qarkun Shkodër, rrugët në Pukë, Shkodër dhe Malësi e Madhe janë të kalueshme, përveç aksit Bardhoc – Iballë, dhe Bogë – Theth, i bllokuar në vendin e quajtur Qafë Thore ku ka rreth 70 cm dëborë, si edhe në aksin Bardhet – Iballë.
Në aksin Qafë Mali – Fierzë dhe Pukë – Fushë Arrëz, kalimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.
Në qarkun Dibër, temperaturat e ulëta sot janë pasuar nga një mot me vranësira dhe reshje lokale shiu. Kujdes duhet treguar në akset nacionale Kala e Dodës – Peshkopi, si edhe në aksin rural rrugor Selishtë – Muhurr.
Reshje dëbore ka edhe në akset Peshkopi – Kala e Dodës; Peshkopi – Bllatë; Maqellarë – Ura e Topojanit – Fushë Bulqizë.