Avokati Spartak Ngjela ka deklaruar se fundi i janarit dhe fillimi i shkurtit do të sjellin arrestime në nivelet e larta.
Në një intervistë televizive, ai u shpreh se nëse SPAK nuk godet tani, nuk do ketë më goditje në nivel të larta.
“Që nga data 25 janar dhe deri më 10 shkurt do të presim ngjarje të arresteve të mëdha, të nivelit të lartë. Po nuk ka këto 15-20 ditë, nuk do të ketë gjithë vitin”, u shpreh Ngjela.
Ai shtoi se goditjet vijnë nga hetimet dhe sipas avokatit ka organe të ekspertizës së huaj që bëjnë pjesë. Avokati tregoi edhe situata kur ka qenë vetë ministër. I pyetur nëse kanë tentuar ta korruptojnë tha: “Çdo shkelës ligjit nuk tolerohet. Është frika e ligjit. Kur e kam thënë unë këtë në një studio ndërkombëtare para 10 vitesh më tha ajo, po ju avokat nga frika nuk vidhni. Po i thashë unë dhe frika është i thashë. Unë i thashë e kam ligjin frikë. Nuk kanë tentuar të më korruptojnë. Shqiponja e njeh llojin e mishit. I gjithë problemi qëndron se humbet lirinë e brendshme, si ta humbasë unë këtë liri, ajo më mban e më jep kënaqësi”.
Më tej ai është ndalur edhe te konflikti brenda PD. Avokati tha se përçarja në PD është çështje e brendshme e tyre ndërsa foli dhe për përjashtimin e 4 deputetëve nga grupi parlamentar i kësaj partie.
Ngjela theksoi se Enkelejd Alibeaj tani duhet të shoh nëse ka reagime pozitive nga populli në lidhje me këtë vendim, e nëse jo duhet të ndryshojë trajektoren.
“Ajo është çështja e tyre e brendshme, ça të them unë i shkreti. A e ka matur Alibeaj që po drejton PD-në se si më duhet pastërtia për të dalë në zgjedhje apo jo. Ai duhet të shikojë sondazhet nëse i ka në favor apo jo. I janë ngritur aksionet Alibeajt pasi përjashtoi këta. Nuk ma ha mendja që ai ka përjashtuar ata po të mos ketë pasur të dhëna se ata na godasin përqindjen në zgjedhje. Duhet parë tani nëse ka rënie apo jo. Nëse ka rënie duhet të ndryshojë trajektoren”, tha Ngjela në “EuroNews”.