Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla gjatë fjalës së tij në një seminar me temë “Lufta ndaj narkotikëve” në një panel me zyrtarë të ministrisë franceze ka bërë një deklaratë mbi trafikun e kanabisit shqiptar drejt Italisë. Prokurori ka folur edhe mbi mbështetjen që kanë trafikantët nga zyrtarë të lartë shtetërorë.

Zoti Llalla tha se kur hetohen zyrtarët e lartë, politika tenton të ndërhyjë tek prokurorët, duke iu referuar kështu indirekt rastit të dosjes “Habilaj” për të cilën kërkohet edhe arrestimi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Në Shqipëri, së fundmi, është miratuar Reforma në Drejtësi. Një prej risive kryesore të saj është krijimi i kushteve për një pavarësi të plotë të prokurorëve gjatë hetimeve të tyre. Pra, ata janë zotë të çështjes.

Por, kjo pavarësi e plotë e tyre nuk duhet dhe nuk mund të shërbejë si një mundësi për çdo faktor, të anatemojnë dhe godasin hetimet e prokurorëve. Është shumë e rëndësishme që prokurori, në çdo rast, të zhvillojë hetimet i pandikuar dhe i pa frikësuar, edhe në ato raste kur subjekte të hetimit janë zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë publikë”, ka deklaruar ai.

Veritas.com.al/