Frrok  Çupi

Druaj se këto ditë ka raste kur janë harruar ca ftesa për ditëlindje, ose nuk janë vënë re lajmërim- vdekje.

Në periudhën e Luftës së Ftohtë ndodhte rëndom, edhe dasma shtyheshin për shkak të ngjarjeve me armiqtë e jashtëm.

Tani është Lufta në Lindjen e Mesme, edhe pse mbaroi, nuk është kthyer normaliteti i jetës së njeriut. ‘U grindën dy fëmijë shkolle dhe erdhi babai, i qortoi me gjuhë të ashpër!’, tha Trump në Samitin e NATO-s.

U lanë mënjanë shumë gjëra ‘ të vogla’. Nuk pati më vlerë nëse dikush kishte botuar një libër, vjershat vulgare qe hedhin në fb shkuan kot, nuk u dëgjua me vëmendje një filozof diku në cep të botës, nuk shkaktoi wow! plazhi i ri. Na kanë munguar edhe podcastet apo ‘sy për sy’ nga kryeministri. Nuk dihet çfarë teatri po luhet te Turbina. Deklaratat e Metës nga burgu për bidonët e ujit, shkuan kot. Nuk u tha gjë për solcitin veror të 21 qershorit. Edhe vajzat e showbizit janë ndierë më të vetmuara…

Lufta e bëri të gjithën, ajo grindja e dy kalamajve në Lindjen e Mesme.

Nuk është se lufta solli ndonjë tmerr të madh në botë, ende nuk e dimë këtë; por nga humori i presidentit Trump në Samitin e NATO-s duket se  çdo gjë kaloi.

Duket edhe sikur nuk ishte luftë. Por ama vëmendjen e tërhoqi njësoj si të ishte tmerr i vërtet. Ca tipa këtu në Shqipëri dolën në media e thanë ‘bëhuni gati se dy senatorë amerikanë më thanë do të kemi luftë në Shqipëri”. Luftën më të egër e kishim gia!, në Ukrainë, por ajo sikur u mohua nga mendja.

Në anën tjetër u prodhua një teatër tjetër. Teatri i një lufte që do t’u japë fund të gjitha luftërave. Ideja e Donald Trump se këto ditë do të shuante edhe ca vatra të tjera lufte në Afrikë e diku tjetër, la të nënkuptohet se pas këtyre nuk ka më. Në çdo fillim lufte kështu është thënë, para se të vinte tjetra.

Luftërat në lashtësi janë bërë edhe për argëtim. Nga brenda luftës dhe pas luftërave vjen një kënaqësi, dhe kjo është sot e dyfishtë: Armëpushimi i imponuar nga babai, dhe  çmimi Nobel për Paqe.

A duhet ta besojmë? Nuk kemi  çfarë bëjmë tjetër, sepse lufta t’i lë duart bosh. Lordët e Luftës janë gjithmonë më të adhuruarit. Adhurimi lë jashtë ‘gjërat e vogla’ të njeriut.

Pse adhurohen ata që shkaktojnë luftën?

Nuk është vetëm frika, madje as vetëm kurioziteti. Forca më e fuqishme e liderëve ka qenë parulla se ‘me këtë luftë do të bëhemi më të pasur’. Edhe pse nuk ka ndodhur asnjëherë. Popujt nuk kanë shkuar në luftë për pasuri; ja!, merr kombin tonë që ka grindje të gjata me fqinjët, sidomos në Veri, më shumë për flamurin se për tokat dhe pasurinë. Domethënë më shumë për ‘shpirtin dhe flamurin’, ose argëtim me fitoren sado e shkurtër të jetë.

Aq më tepër tani në shtetin modern dhe në luftërat moderne. Në Iran u vranë rreth 600 vetë, në Izrael nuk e kanë shpallur ende, por asnjëri nuk fitoi gjë, të dy palët shpallën fitore. Luftërat kushtojnë kushedi sa herë më shumë se “fitimet’ e tyre. Me trilionë dollarë matej  çmimi i luftës s presidentit Bush kundër Irakut- fqinj me Iranin, por sa fitime? As sa shporta me vezë e fshatarëve që zbresin  çdo ditë në Tiranë.

As Rusia nuk po pasurohet me luftën kundër Ukrainës, si ç kishte deklaruar Putin. Përkundrazi. Me gjithë varfërimin e Rusisë, nën dorën e Putin, Putini është më i fuqishëm se kurrë, por jo kombi i tij;  njerëzit e votojnë pa mëdyshje për shkak të luftës. Edhe presidenti Bush u votua në vitin 2004 për shkak të luftës pa bereqet në Irak, edhe pse kishte kaluar nëpër 11 shtatorin tragjik.

Më vete, ky është një spektakël tjetër: Argëtimi me frymëzimin kundër tjetrit.

Secili prej nesh, sapo t’i kthehet vetes, do të shikojë se këto ditë ka harruar plot gjëra. Ishte lufta, edhe pse nuk na përkiste ne.

 

 

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *