(FOTO: Këngëtari Flori Mumajesi)
Makina është djegur mbrëmë, e Dielë, teksa ka qenë e parkuar pranë studios së tij në sheshin Wilson në Tiranën e Re. Megjithëse fillimisht Policia nuk kishte ndonjë pikë dyshimi nëse makinës i ishte vënë zjarri ose ishte vetë-djegur, kamerat e sigurisë së lokaleve rrotull vendit të ngjarjes dëshmojnë të vërtetën:
Kamerat kanë zbuluar një person që ka ardhur te makina e Mumajesit, duke mbajtur një bidon me benzinë dhe e ka derdhur mbi makinë. Kamerat tregojnë qartë një person rreth 30 vjeç, veshur me bluzë dhe me kapuç në kokë, që i vë zjarrin makinës së Mumajesit.
Flakët kanë rrezikuar edhe banesat pranë vendit të ngjarjes, prandaj kanë mbërritur menjëherë zjarrfikësit.
Flori (Florian) Mumajesi është një këngëtar shqiptar që ka arritur të ketë famë në muzikën shqiptare si këngëtar solo dhe më vonë si kompozitor. Mori pjesë në “Kënga Magjike” në vitin 2002 dhe vazhdon bashkëpunimin me disa artistë. Për disa kohë punoi si menaxher i këngëtares Soni Malaj. Bashkë me disa artistë të tjerë kanë mundur të hapin studio prodhimi muzikor, të emëruar “Threedots Production”.
Sulmi për djegien e makinë së tij nuk dihet akoma nëse ka lidhje me artin apo me “arsye” të tjera.
Policia po vazhdon hetimet.
/Veritas.com.al/