Frrok Çupi/
Dje në mbrëmje, gjatë mitingut hapës të fushatës elektorale për Parlamentaret e këtij viti, u helmuan 140 militantë të PD që u ndodhën në miting. Një nga të prekurit nga helmimi- sipas dëshmive të mediave- është edhe kryetari i Opozitës, Lulzim Basha.
Të gjithë të prekurit nga helmimi: sa me vështirësi në frymëmarrje, sa me shenja të forta në lëkurë e në sy,- janë identifikuar dhe po kurohen. Çfarë të vjen në mendje pas kësaj skene ‘lufte’, është një krahasim ose me romanin e Kadaresë ‘Kështjella’ ku luftohet kundër pushtimit Otoman në Krujën e rrethuar; ose qyteti sirian Khan Sheikhoun ku në fillim të Prillit të këtij viti u helmuan me gaz sarin dhjetra fëmijë. Nuk ka shembull tjetër në këtë shekull me të cilin të krahasohet një helmim i tillë për shkaqe politike. Që prej shekujsh helmimi për kundërshtarët politik në turma masive qytetarësh, është lënë në harresë. Madje edhe në vitin 1991 kur komunizmi më i egër, ky i Shqipërisë, po binte, diktatura nuk përdori dot gaz helmues.
Por edhe që të bëhen akuza për ‘helmime politike’ në manifestimin e Opozitës në qendër të Tiranës, është pak e tepërt; sidomos tani që ndodhemi 27 orë pas helmimit. Fakti i vetëm që kemi në dorë është se 140 pjesëmarrës në manifestim janë identifikuar si të helmuar nga një pluhur ‘misterioz’ në mitingun e PD.
Kjo është pika më shqetësuese për qytetarët e vendit, pikërisht kjo: Ka 27 orë që nga momenti kur ka ndodhur helmimi, por ende nuk ka një analizë, ose një hetim çfarë ndodhi. Për 27 orë, në një shoqëri të përparuar, do të dilte rezultati i zgjedhjeve, të patën dy herë; do të zbuloheshin efektet helmuese në qelizat e bulevardit dhe do të ishin thërritur na pranga shkaktarët. Por përderisa kjo nuk ndodh në 27 orë, nuk ka për të ndodhur kurrë. Individi nuk mund të ndjehet i garantuar para rreziqeve ekstreme, qoftë edhe në një ‘festë’ politike siç është mitingu elektoral. Po në një dasmë, po në një festë familjare, po në një darkë me miq?…
Të gjithë janë të paditur për atë që ndodhi:
Kryeministri i Republikës, thjesht iu uron shërim të shpejtë të prekurve nga helmimi, dhe shpreh besimin se shkaktari mund të zbulohet. Në fakt pritej që kur të fliste kryetari i qeverisë, të dëshmonte prova dhe fajtorë dhe garanci për të tjerët që akoma nuk janë helmuar.
Kryetari i Opozitës, Basha, dhe ish- kreyministri Demokrat, Berisha, denoncojnë me prova atë që ndodhi. Por nuk venë gishtin askund; edhe pse lideri historik është mjek në profesion dhe kryetari i Opozitës është vetë i prekur nga helmimi.
Ministria e Shëndetësisë, e cila drejtohet nga një ministër i zgjedhur prej vetë Opozitës, thjesht ka mundur të numërojë të helmuarit, 140, por asgjë më shumë. Nëse ‘ushtria’ e Opozitës helmohet në një luftë me pushtetin, atëherë vetë ministri i Opozitës duhet të kishte vënë gishtin ‘në plagë’.
Ministri i Brendshëm, që i përket Opozitës, nuk ka folur akoma, edhe pse kanë kaluar 27 orë. Me sisguri edhe ky që i përket opozitës, nuk do të jetë në gjendje të identifikojë ‘gazin nervin’ që helmoi ushtarët e tij.
Vetëm një qytetare, Drita Lamaj, e cila ndodhet e shtruar në spital për shkak të helmimit, mundi të flas më qartë se askush. Ajo tregoi gjendjen e saj shëndetësore duke thënë: “Ja shikomëni si jam…. Po vuaj, por nuk di asgjë”.
Ndodhemi në një shtet ku mund të na ndodhë më e keqja, jo vetëm individualisht, por edhe në grup, e nuk mund të mbrohemi.
/Veritas.com.al/