Frrok Çupi//

Do ta ndalin trenin që u nis nga Beogradi? Kush do ta ndalë? Tani po afrohet ora që mund të mbërrijë në Mitrovicë; po afrohet ora 9 e mbrëmjes, në 9.30 duhet të mbërrijë… Gjithë ditën sot kjo pyetje është shtruar në Kosovë: “Kush do ta ndalë trenin?”

Çfarë na zhyt në këso dilemash ekzistencialiste?

Dilema  jonë kombëtare vërtitet mbi kokat tona, mbi konfliktet dhe mbi dashamirësitë, mbi politikat dhe mbi zgjedhjet; e prapë kthehen në pikën e  parë… Kjo është ekzistencialistja. Që në mëngjes, në bazë të një plani të njohur, qeveria e Beogradit ka nisur një tren drejt Mitrovicës. Ky është treni i parë që vjen pas Luftës në Kosovë, në vitin 1999. Në Kosovë, gjatë gjithë ditës është bërë e njëjta pyetje: Kush do ta ndalë trenin?

E para pyeti zonja Elida Tahiri,“ministre” për Europën në Kosovë. Ajo pyeti e para :“kush do ta ndalë?”, duke thënë se më vonë mund të kushtëzojë negociatat Kosovë- Serbi për shkak të trenit. Por “më vonë”. Sot kush e ndal trenin?

I dyti pyeti shefi i Policisë kufitare të veriut. Ky tha do të ishte gati të ndihmonte policinë e Mitrovicës, por a mund ta ndalë policia trenin?

Ndërsa, i treti,  Besim Hoti, shef i Policisë së Mitrovicës tha se “nuk jemi ne- policia e Mitrovicës që mund ta ndalë trenin…ndoshta “duhet ta ndalë policia kufitare”.

I katërti, deputeti i “Vetëvendosjes” që quhet edhe opozita nacionaliste e Kosovës, Rexhep Selmi,  pyeti “kush do ta ndalë trenin?”. “Se po të kishim president, ky do ta ndalte trenin”, tha ai.

I pesti ka folur vetë presidenti i Republikës, Hashim Thaçi. Edhe ky ka bërë pyetjen “kush do ta ndalë trenin?”. Kështu rezulton, p[përderisa tha se ky nuk mund ta ndalojë, por ndërkohë tha se “ardhja e trenit është e palejueshme”….

Tani në mbrëmje, para pak, vetë kryeministri Mustafa tha se “do ta ndalojnë trenin”, por “po hyri treni në Kosovë… atëherë”, ka thënë kryeministri. Domethënë ka lënë të nënkuptohet se mund të mos ndalohet treni, “kush do ta ndalë?”.

Treni që vjen nga Beogradi mban mbishkrime mbi Kosovën- Serbi, mban zyrtarë të lartë të Serbisë dhe disa piktura me kisha ortodokse. A duhet të vijë treni përmes hekurudhës së rinovuar, apo jo?, kjo është një çështje tjetër. A është mirë që të zhvillohen marrëdhëniet mes dy shteteve fqinj, apo jo?- kjo është një çështje tjetër… Sot është shtruar pyetja “kush do ta ndalë trenin?” Pyetje në thelb ekzistencialiste. Deri në mbrëmje nuk ishte gjetur se kush do ta ndalë trenin.

A nuk na shërben “treni” si objekt për të shtjelluar pyetjen tonë ekzistencialiste si komb e si individë? Ka qenë pikërisht sot dita kur në Kosovë është inauguruar monumenti i një diplomati amerikan, Walker. Ky zbuloi varrezat e para masive në Kosovë në vitin 1998; tani ka monument. Pyetja ekzistenciale është: Po sikur të mos ishte Wolker, vallë a nuk do t’i gjenim varret e njerëzve tanë? A nuk do të jemi në gjendje të zbulojmë varret tona, si dhe prosperitetin tonë? A nuk do ta “ndalnim trenin” vetë?

Një jetë e tërë me pyetjen “të ekzistoj, apo të mos ekzistoj?”. Historia jonë ka qenë më e fortë që ka mbijetuar dhe dalë mbi pyetjet tona e na ka mbajtur këtu, por ekzistencializmi na ka shoqëruar pandarë. “A do të bëhemi pjesë e Perëndimit, apo do të vërtitemi këndej rrotull?”. “A do të krijojmë busullën tonë që të dimë ku do të radhitemi, apo do të mbetemi përsëri pa radhim? Jemi një komb pa farefisni, dhe luhatjet herë në Turqi, herë në Bruksel, herë në Berlin, e tani përsëri për në Moskë; këto na çorientojnë dhe na fusin më në thellësi të ekzistencializmit.

Tërë jeta na vërtitet kështu. Një borë të bjerë maleve dhe ujërat të gurgullojnë fushës, ne nuk kemi një telefon ku të marrim dikë. Edhe sikur dikush të sëmuret natën, ose një bandit të rrëmbejë fëmijën, nuk ke një telefon ku të thërrasësh…

Një inondatë t’i ndodhë shtetit, nuk kemi një telefon në Europë ku mund të përgjigjet edhe në mes të natës. Liderët vërtiten si prostituta dhe na tregojnë kostumet, na tregojnë luksin e dhomave dhe kravatat e liderëve fqinj. Vizitojnë shtetet fqinj dhe bien në dashur me homologët. Por një pyetje jonë kurrë nuk ka një përgjigje. Ata lënë vizitat e pastaj nuk kanë kë telefonojnë për një punë kombëtare.

Çfarë bëhet kështu? Tani, një shtet i tërë, i zgjedhur e i paguar, i plotësuar me ushtri e me Parlament, pyet gjithë ditën: “Kush do ta ndalë trenin?” Ai tren mbase nuk duhet ndaluar, por përderisa shtrove pyetjen “kush do ta ndalë?”, atëherë kush?

Çfarë na e ka kushtëzuar këtë ekzistencializëm të thellë?

Izolimi i gjatë?… Mungesa e gjumit të shëndetshëm?… Pakënaqësia me jetën?… Traumat psikologjike?… Sensi i të qenit vetëm dhe të izoluar në këtë botë?…  A mos vallë mendojmë se kjo jetë le të shkojë si të shkojë, tjetra vjen më e mirë?…   Apo nuk e kemi kuptuar akoma kuptimin jetës?…

Psikologët e mëdhenj, para shfaqjeve ekzistencialiste kanë vënë shkencën e tyre dhe kanë shtruar terapinë me këto pyetje të mësipërme. Jean- Paul Sartre, më i madhi i filozofëve të ekzistencialistëve, ka folur si të fliste enkas për ne: “Ferri janë të tjerët”. Më duket se ky është edhe thelbi i “trenit”.

/Veritas.com.al/