Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës, i ka dërguar një letër kërkesë Prokurorisë së kryeqytetit për të rifilluar hetimet për çështjen e 21 janarit.

Burime të Top Channel thonë se në letër kërkohet që të bëhet ri-ekspertim i predhës që u gjet në trupin e Aleks Nikës, i cili u dërgua në Turqi, por humbi jetën disa ditë më pas. Policia pretendon se 10 vite më pas, teknologjia do të mund të hedh dritë mbi këtë ngjarje. Po ashtu kërkohet që të merren në pyetje, të afërm dhe familjarë të viktimave, të personave të cilët mbetën të plagosur në atë protestë, po ashtu edhe të dëshmitarëve që ishin të pranishëm atë ditë.

Në letrën që Top Channel disponon, thuhet se ri-ekspertimi i predhës që u gjet në trupin e Aleks Nikës, do ta bëj instituti i policisë shkencore, nëse shkenca dhe teknika kriminalistike ekzaminuese ka përparuar.

Po ashtu, ky institucion, thuhet në letër, të kërkojë me shkresë zyrtare, nëse ka laboratorë për ekzaminime kriminalistike në vendet e Bashkimit Evropian ose jashtë saj, në gjendje që të ekzaminojë predhën.

Njera prej pikave është që të bëhet riekspertim hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes, për vrasjes e Aleks Nikës, Hekuran Dedës. Riekspertim i pamjeve filmime kërkohet edhe për plagosjen e Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bishës, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papas.

Policia e Tiranës, kërkon që të merren në pyetje efektive dhe ish efektivë të gardës së së republikës, të cilët kanë qenë në shërbim në datën 21 janar të vitit 2011.

Ky rihetim, kërkon që të bëhen edhe veprime të tjera që mund të dalin  nga kryerja e detyrave sipas pikave mësipërm.  Prokuroria e Tiranës, pas letër-kërkesës që i ka shkuar në tryezë, pritet të marr një vendim, për rifillimin ose jo të hetimeve.

Kujtojmë se për katër viktimat e 21 janarit, u dënua ish komandanti i gardës, Ndrea Prendi me 1 vit burg si dhe gardisti Agim Llupo me tre vite.

Rajmonda Nikës  këto dhjetë vite pa bashkëshortin Aleksin e vrarë nga plumbat e gardës në bulevard në 21 janar, i është dashur të rrisë dy vajzat e mbetura jetime. Nuk e ka patur të lehtë, por si një  burrëreshë e vërtetë ia ka dalë.

Në Lezhë e takojmë e takojmë bashkë me dy vajzat.

Amelia ishte 2 vjeçe ndërsa Mentila kishte vetëm 1 muaj që kishte lindur kur Aleksit plumbat i morën jetën.

Për herë të parë, me lot në sy,  vajzat  e Aleks Nikës, gjejnë kurajon të thonë disa fjalë, për mungesën e babait, në një intervistë për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliun.Mentila Nika: Kam qejf që ata që e kanë vrarë të dalin vetë para të gjithë botës.

Muhamed Veliu:Kur ti shikon fotot e babit çfarë ndjen?

Mentila Nika: Unë ndjej mungesë.

Amelia Nika: Mua babi më mungon shumë. Përveçse kam patur mamin, kam hallat, gjyshin gjyshen. Mami i ka bërë të dyja rrolet. Edhe mamin edhe babin.

Muhamed Veliu: A i shikon shpesh fotot e babit?

Amelia Nika: Po i shof. I them mamit sa i mirë ka qenë babi, do të doja të dëgjoja zërin e tij. Shpresoj që së shpejti ta gjejmë atë njeri që e bëri atë krim dhe të dënohet me dënimin që duhet.

Sfida e Rajmondës këto 10 vite ka qenë të treguarit gradualisht vajzave atë që ndodhi atë 21 janar të kobshëm.