Adnan Xholi është kandidati i parë për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në dhjetor, Arben Kraja duhet të dorëzojë detyrën dhe deri më tani ka pasur hezitim të madh nga 16 prokurorët e SPAK për të marr frenat e luftës antikorrupsion.
Por sot Xholi ka dorëzuar kandidaturë dhe është një ndër emrat më favoritë, nëse do të shfaqin interes edhe prokurorë të tjerë. Që kur u hap gara ai cilësohej si ndër emrat që do marrë drejtimin e SPAK dhe shpresat janë që me emërimin e kreut të ri mund të kemi një epokë të re në luftën ndaj korrupsionit.
Por kush është Adnan Xholi?
Para se të kalonte në SPAK, Xholi ishte Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa më parë ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Kontrollit të Hetimit në institucionin qendror të akuzës.
Më herët, prokurori Adnan Xholi ka mbajtur poste drejtuese në prokurori lokale, si edhe për shumë vite ka qenë prokuror pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda.
Xholi është prokurori i parë i republikës që ka thirrur për të dhënë dëshmi ish-Kryeministrin Berisha, ish-kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, deputetë e persona të tjerë jo të zakonshëm. Bëhet fjalë për dosjen e famshme Meta-Doshi.
Dibrani Adnan Xholi ka marrë vazhdimisht vlerësime për performancën dhe integritetin profesional. Dhe mund të thuhet me plot gojë se ai është prokurori më i vlerësuar nga amerikanët. Xholi është ndër të paktit që ka marrë certifikatë mirënjohje nga SHBA.
Në krye të Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, tre muaj pasi kishte marrë këtë detyrën, bashkë me 7 oficerë gjyqësorë të Policisë së Shtetit, ai punoi me autoritetet amerikane për zgjidhjen e një çështjeje trafiku droge dhe pastrimit parash, ku ishte i përfshirë një shtetas shqiptaro-amerikan.
Prokurori Xholi dhe shtatë oficerët të cilët kishin hetuar të pandehurin në Shqipëri, u paraqitën në tetor 2013 para jurisë së Teksasit, ku prezantuan procedurën hetimore të ndjekur për këtë rast.
Pak muaj më pas, Prokurori i Përgjithshëm i shtetit të Teksasit, John Bales dhe Drejtori i Përgjithshëm i Byrosë Federale të Hetimit (FBI), James B.Comey, u dhanë certifikatë mirënjohjeje Xholit dhe oficerëve.
Xholi po ashtu njihet si prokurori i parë që nisi hetimet për kokainën kolumbiane. Në vitin 2011, si prokuror i Krimeve të Rënda dhe në bashkëpunim me autoritetet belge, holandeze, spanjolle e të tjerë, ai ka ndjekur hetimin e parë të zhvilluar në Shqipëri për trafikun e kokainës nga Kolumbia drejt vendit tonë. Po ashtu ai ka hetuar dhe raste e famshme si “Masakra e Cërrikut” apo “Masakra e Qafë-Gjashtës”.
Pra duket e Xholi është i pari prokuror që ka refuzuar frikën nga dosjet e bujshme. Mbetet të shihet nëse do kemi dhe emra të tjerë që do shfaqin interes.