SPAK njoftoi dje goditjen e një organizate kriminale të trafikut të drogës në Zvicër, pastrimit dhe dërgimit të parave nga shteti zviceran drejt Shqipërisë me skemën e njohur kineze Hawala.

Organizata, sipas dosjes së SPAK dhe autoriteteve të Zvicrës, ka sjellë në Shqipëri miliona euro para të pista.

Grupi kriminal mblidhte paratë e shumë trafikantëve të drogës dhe i sillte në Shqipëri kundrejt pagesës që ishte 6 % e vlerës.

SPAK njoftoi se janë arrestuar personat P. K dhe B. F në Shqipëri, ndërsa E. F është arrestuar në Zvicër.

Prapaskena mëson se bëhet fjalë për disa pika kërmbimi valutore në Tiranë, disa prej të cilave ndodhen te ‘Rruga e Durrësit” dhe në rrugën “Muhamet Gjollesha”, të cilat kanë shërbyer për tranferimin në Shqipëri, pa lëvizjen fizike të parave, të miliona eurove.

Kreu i kësaj organizate kriminale është biznesmeni nga Ferizaj i Kosovës, Enver Ferizaj, me banim në Tiranë, në “Rrugën e Durrësit”, mbi pikën e këmbimit valutor, ku lëvizte paratë e pista me çanta. Organizata kishte karakter fimilljar, pasi pjesë lëvizjet së parave të pista rezultojnë i biri, Ervis Feriazaj, Erjona Ferizaj, Burim Ferizaj etj. Një pjesë të parave pastrohen në Tiranë nga Ervis Ferizaj, në lokale dhe biznese të tjera.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, ka zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal nr.49/3 viti 2023, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafik i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 283/a, 287, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimeve paraprake dhe ato të kryera nga autoritetet e drejtësisë zvicerane, janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat kanë provuar faktin se personat nën hetim E.F, B.F dhe P.K, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, si dhe në bashkëpunim me disa persona të tjerë që janë me banim në Luzern, Zvicër, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe kanë bërë të mundur funksionimin e një sistemi informal të transferimit të parave. Përmes këtij sistemi kanë transferuar dhe kanë transportuar nga Zvicra për në Shqipëri, sasi të konsiderueshme të parave që kanë pasur si burim të origjinës së tyre aktivitetet e trafikimit dhe të tregtimit të lëndëve narkotike në territorin e Zvicrës apo në vende të tjera.

Ky sistem informal i transferimit të parave, i njohur me emërtimin “Hawala”, iu ka mundësuar personave nën hetim dhe personave të tjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale, të transferonin në mënyrë të shpejtë, shuma monetare nga Zvicra në Shqipëri, për një periudhë disa vjeçare, të paktën prej vitit 2020 dhe në vazhdim.

Personat e interesuar për transferimin e parave (dërguesit e parave) dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër, duke i informuar ata për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.

Bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër menjëherë sapo kryhej depozitimi i parave njoftonin bashkëpunëtorët e tyre në Tiranë, personin nën hetim E.F, i cili është edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal, për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë. Më pas, personi nën hetim E.F, në bashkëpunim me personat nën hetim B.F dhe P.K, dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishtë depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, tek personat që ishin pritësit e shumave në Tiranë. JAVA NEWS

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *