Presidenti i Republikës Meta zhvilloi sot një takim me kryetarët e partive të opozitës së bashkuar, drejtuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në një njoftim nga zyra e shtypit të Presidentit thuhet se kreu i shtetit “i njohu të gjithë pjesëmarrësit në takim me situatën dramatike të sundimit të ligjit, dhe veçanërisht me zbatimin e njëanshëm antikushtetues të Reformës në Drejtësi”.
Sipas Metës, “manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij, është skandali më flagrant i Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës”.
Presidenti, thuhet më tej në njoftim, theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues.
Kreu i Shtetit mësohet se përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të opozitës së bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione.
“Presidenti Meta vuri në dukje se përmbushja urgjente e kushteve të Bundestagut është e vetmja rrugë e sigurtë për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe për ndalimin e shpopullimit dramatik të vendit“, thuhet më tej në njoftimin e Presidencës./
Veritas.com.al/