Ka nisur sot, të hënën e 15 nëntorit, seanca maratonë për shqyrtimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2022”, në Kuvendin e Shqipërisë.

Në rendin e ditës, janë gjithashtu, projektligji “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë të ndryshuar”, projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998.

Në Kuvend do të shqyrtohet projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat” si dhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”.

Seanca do të vijojë punimet parlamentare edhe me datë 16 nëntor.

Qeveria e Shqipërisë e ka depozituar më 26 tetor në Kuvend projektligjin për “Buxhetin e Shtetit” për vitin e ardhshëm.

Sipas tij, qeveria ka parashikuar të shpenzojë rreth 637 miliardë lekë, dhe të ardhurat priten të shkojnë në 536 miliardë lekë.

Në këtë mënyrë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka planifikuar që deficiti të arrijë në 101 miliardë lekësh.

“Shpenzimet e personelit për vitin 2022, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave kryesisht për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes”, shkruhet në njoftim.

Gjithashtu aty theksohet, se fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit shëndetësor dhe ata arsimorë.

Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 90.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së.

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë duke u rritur krahasuar me një vit më parë.

Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare.

Niveli i fondit rezervë për vitin 2022, planifikohet në masën 3.4 miliardë lekë, përkatësisht 2.4 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave, 500 milionë lekë fond kontigjence për projektet me BE-në si dhe 500 milionë lekë kontingjencë për projekte specifike për fëmijët