KOMENT

Në fillim të këtij sesioni parlamentar u bë një debat i madh për atë që opozita e quante si tentativë të mazhorancës për t’i mbyllur gojën në Kuvend, kur kërkohet që komisionet parlamentare të bëheshin online për shkak të masave anti COVID.

Por nëse do të shikonim shifrat e seancës së fundit plenare, atë të ditës së enjte, vetëm që ‘censurë’ nuk ka për opozitën në Kuvend.  Opozita ka folur gjithsej 5.21 orë përkundrejt 2.98 orë të mazhorancës, më shumë se 2 orë plus.

Një tjetër shifër interesante është fakti që janë 17 gratë deputete që kanë marrë fjalën dhe 27 burrat, që nëse do të matnim si përqindje kanë folur rreth 38% e grave dhe 28% e burrave.

Kujtojmë se seanca e kaluar u karakterizua nga debatet të ashpra mes Kryeministrit Rama dhe kryeopozitarit Basha. Rindërtimi dhe përdorimi i fondeve nga qeveria është bërë shkak i përplasjes, me akuza dhe kundërakuza.

Ishte kreu i qeverisë i cili ndërhyu ndërmjet interpelancës së kërkuar nga deputei i PD-së në Durrës Ferdinand Xhaferraj, me ministrin për Rindërtimin Arben Ahmetaj, tha se bllokimi i kantiereve të ndërtimit është bërë për shkak të pandemisë.

Nga ana tjetër kryetari Lulzim Basha e akuzoi Ramën për korrupsion dhe se tenderat ndahen dhe përcaktohen në zyrën e tij. Sipas tij BE ka ndërtuar një shkollë me 681 mijë euro, ndërsa me fondet e qeverisë shqiptare është ndërtuar një shkollë mesatarisht 760 mijë për shkollë, ndërsa Bashkia Tiranë në një tender 1 milion e 340 mijë për shkollë ndërsa në një tjetër 2 milion e 173 mijë euro për shkollë./Shqiptarja.com