Dje dhe sot, opozita ka reaguar ndaj një veprimi antiligjor të kryer në kalendarin e punimeve 3- javore të Kuvendit, ku fshehurazi nga opozita, u fut drafti për Reformën në Drejtësi.
Sot, me sa duket, nën presionin e opozitës se “do ta dërgonte çësjtjen në prokurori”, por edhe në presionin e ndërkombëtarëve, Kuvendi vendosi të tërhiqet nga skandali.
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili e quajti një “lapsus të administratës” futjen e draftit për reformën në drejtësi, në kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit. Sipas tij, Kuvendi do të ketë një sqarim të plotë për këtë çështje, ndërsa theksoi gjithashtu se domosdoshmëri është miratimi i reformës sa më shpejt.
“Nuk ka shumë të vërteta në këtë çështje, ka vetëm një të vetme. Kuvendi do të sqarojë çdo keqkuptim në planin dokumentar. Kuvendi do ta bëjë këtë dhe ju do ta keni, i cili sqaron gjithçka dhe s’ka të bëjë me futjen e reformës. Ka pasur një lapsus në karikimin e dokumenteve e jo me votimin e çështjes në sallë. Sigurisht që jemi të përqendruar ta votojmë reformën në drejtësi. Keqkuptimet procedurale nuk janë të rëndësishme. Jam i bindur që shërbimet e Kuvendit do ta sqarojnë këtë keqkuptim”, u shpreh Vasili.
Deklarata e zyrtarit të LSI u bë menjëherë sapo ambasadori i BE dhe ambasadori i SHBA lanë zyrën e kryetarit të Kuvendit dhe kryetar i LSI, Ilir Meta.