Në një seancë që ka zgjatur për më shumë se 14 orë e mes debateve dhe akuzave që kanë mbërritur nga opozita duke e cilësuar si “aferën më të madhe korruptive”, Partia Socialiste ka miratuar me votat e saj marrëveshjen për Portin e Durrësit. Me 74 vota pro dhe 35 kundër, Kuvendi i hapi rrugën investimit 2.1 miliardë eurosh. Të pranishëm në sallë ishin 107 deputetë, ku ia vlen të theksohet që kryeministri Edi Rama mungoi. Në përfundim të votimit, socialistët duartrokitën në atë që e quajnë një “marrëveshje që do i sjellë vendit një bum ekonomik.

Në gati një orë fjalim, kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti i Portit Turistik të Durrësit është historik dhe opozita që sipas tij, është kthyer në çorbë rublash, nuk do ta ndalë. Kreu i qeverisë shqiptare e konsideron portin aktual të Durrësit si “skandal mjedisor” dhe “zonë kancerogjene”. Ai shtoi se investimi i parashikuar të bëhet nga kompania e huaj e Alabbar, nëse nuk zbatohet sipas kontratës, do t’i kalojë i gjithë shtetit, pa asnjë tarifë shtesë.

“Ky investim do ta kthejë portin e vjetër të Durrësit nga një platformë të zezë, si surrati i të gjithë atyre që e përndjekin Shqipërinë qysh prej 1912-s, në një prej porteve më të mëdha turistike të Mesdheut, në mos më i madhi”, tha Rama.

Pas shumë kohësh të ndarë, kjo seancë plenare “bashkoi” opozitën të cilën si rrallë herë kanë ndarë të njëjtin mendim për një çështje, siç është ky projekt. Kreu i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj tha se ky projekt do kthehet në aferën më të madhe të pastrimit të parave të krimit.

“Na vika një investitor mbi qilim fluturues e na vinka me vetëm 80 milionë euro. . Si mund të gëzohesh kur në këtë vend vjen paraja e krimit, që do të sjellë refuzimin e këtij vendi nga BE, ky është rreziku i madh, e hedh Shqipërinë në honet më të errëta të botës së perëndimit”, tha Alibeaj.

Nga ana tjetër, Sali Berisha Berisha tha se marrëveshja për Portin e Durrësit shkel Kushtetutën. Edhe në këtë seancë, Berisha përsëriti skenarin e së enjtes së kaluar, ku bllokoi për disa minuta ‘Foltoren’ sepse akuzoi socialistët se po përpiqet që t’i mbyllet goja opozitës e nuk po i lihet mjaftueshëm kohë për të folur. Kjo solli ndërprerjen e seancës plenare, por jo të tentativës së Berishës për të shkaktuar zhurmë në Kuvend, i cili për të dytën herë e gjeti zgjidhjen përmes Facebook.

“Ne do të vazhdojmë qëndresën në Parlament, ju mos ikni nga salla se këto këtë duan, të vendosin censurën. Për ju nuk ekziston rregullore, por ligji i plaçkitjes vetëm. (…)Hidheni poshtë këtë marrëveshje. Marrëveshja shkel me të dy këmbët marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, shkel Kushtetutën e Shqipërisë. Marrëveshja është një mashtrim fund e krye ligjor. Marrëveshja nuk respekton asnjë rregull asnjë ligj, të përjashtohet nga çdo gjë dhe Edi Ramës i është dhënë një garanci që asnjë qeveri mos ta padisë mbrapa. Edi Rama, i bindur të jesh se te Porti i Marinës do përfundosh vetë, s’ka burg që të mban ty me këtë që po bën”, tha ndër të tjera Berisha.

Për pasojë seanca u ndërpre për të mbledhur Konferencën e Kryetarëve e cila  vendosi që çdo deputetë të flasë 10 minuta për projekt-ligjin e marrëveshjes për Portin Turistik të Durrësit duke shënuar kështu një seancë maratonë që zgjafi për 14 orë!

Çfarë parashikon projekti?
Projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2, që nga investimi, i kalon në pronësi kompanive. Parashikohen 12 000 apartamenteve dhe 2 hoteleve me 850 dhoma në total. Projekti parashikon 80 000 metër katror hapësira të gjelbra, ose hapësira të hapura dhe një gjatësi plazhi 700 metra. Faza e parë nis në 2023-shin e zgjat për 5 vite, me vlerë investimi  € 595 milionë euro, dhe për fazën e dytë që pritet të nisë në 2028-ën, investimi është rreth 1 miliardë e gjysmë euro. Marrëveshja ka një jetgjatësi prej 35 vitesh, ndërsa përfundimi total i realizimit të projektit zgjat 20 vite. Qeveria shqiptare do të përfitoje gjatë gjithë kohës 33.3% të dividentit. Parashikohen 12 000 të punësuar.