Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën që dënon agresionin serb në Kosovë. Pas një seance maratonë, opozita dhe mazhoranca bashkuan votat duke hedhur poshtë edhe pretendimet e Dick Martyt sa i takon krimeve të luftës në Kosovë. Rezoluta u miratua me 125 vota pro.
Përmes rezolutës Kuvendi konstaton se, pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.
Rezoluta përgëzon autoritetet e Republikës së Kosovës, të cilat, në përputhje me kërkesat e parashikuara në pikën 19.6 të Rezolutës 1782 (2011) të APKiE, kanë bashkëpunuar pa rezerva me EULEX dhe çdo organ tjetër gjyqësor të mandatuar për të kryer hetime vijuese si dhe në kuadër të çdo procedure tjetër që synon të zbulojë të vërtetën.
Kuvendi përshëndet autoritetet e Kosovës, të cilat, në përputhje me një marrëveshje ndërkombëtare dhe amendamentin kushtetues nr.24 të Gushtit 2015 miratuan themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesë përbërëse e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe të natyrës së përkohshme, me qëllim kryesor hetimin dhe/ose gjykimin e krimeve të pretenduara në Raportin e Dick Marty.
Përmes rezolutës i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (folloë up report) dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.
Po ashtu Kuvendi i kërkon Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi dhe përsërit thirrjen e tij për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj.