Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet këtë të hënë në orën 10:00 në seancë plenare, ku në rend të ditës janë parashikuar një sërë çështjesh.
Mazhoranca dhe opozita pritet të votojnë ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, konkretisht “Ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore” dhe “Ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë për Reformën Administrativo–Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.
Pjesa tjetër, e cila do marrë vëmendje janë raportimet e institucioneve të drejtësisë mbi punën 1 vjeçare.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, do të raportojë mbi veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjatë vitit të kaluar.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, do të prezantojë raportin mbi gjendjen e kriminalitetit në vend për vitin 2024.
Në seancë do të paraqitet gjithashtu raporti i veprimtarisë vjetore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, për vitin 2024.
Ndërkohë , kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, do të raportojë mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe punën e KLGJ-së, ndërsa kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, do të prezantojë raportin vjetor të institucionit që drejton.
Komente