Drejtimi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave është zyrtarisht në duart e një gruaje.

Bëhet fjalë për Evgjeni Basharin, e cila më herët mbante detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Inspektoratit. Nisur nga fakti që në shkurtin e 2021-shit, kreu aktual, Shkëlqim Ganaj do të mbyllë mandatin e tij, posti pritej të kalonte në duart e një prej vartësve. “Gara finale” u zhvillua mes Helena Papës dhe Evgjeni Basharit, ku kjo e fundit u votua nga Kuvendi për të qëndruar në krye të institucionit në fjalë, me 100 vota pro.

Por kush është Evgjeni Bashari?

Evgjeni Bashari ka punuar për një kohë të gjatë në shumë organizata ndërkombëtare. Ajo ka qenë eksperte pranë misionit EURALIUS, i cili asiston sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Nga viti 2007 deri në vitin 2015 Bashari ka punuar në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë, fillimisht në Departamentin e Kërkimeve dhe Punëve të Jashtme dhe për tre vitet e fundit si Asistente Ligjore.

Cilat janë kompetencat e Inspektoratit

Inspektori i Përgjithshëm drejton Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për të kontrolluar deklarimin dhe legjitimitetin e burimeve të pasurive të deklaruara dhe konfliktit të interesave nga subjektet e parashikuara nga ky ligj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai njofton, rast pas rasti, Presidentin, Kuvendin, Këshillin e Ministrave, Kryeministrin, ministrat, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtuesit e institucioneve qendrore për parregullsitë e vërtetuara në deklarimin e pasurisë nga punonjësit në juridiksionin e tyre.

VERITAS.COM.AL