Në seancën e sotme plenare po diskutohet projektrezoluta e propozuar nga Partia Socialiste ‘Mbi bazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë e Shqipëri’. Ndërkohë në Kuvend është dorëzuar edhe kërkesa e opozitës që rezolutës t’i bashkangjitet edhe dënimi i gjenocidit serb në Kosovë. Raporti i vitit 2011 i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentarë të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjestarë dhe drejtues të UÇK, për të cilat hetuesit ndërkombëtar nuk kanë gjetur prova.
PS kujdeset të evidentojë se 11 vite pas hartimit të raportit të Dick Marty-t, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij në raport, nuk është vërtetuar. Sipas Partisë Socaliste pas 10 vitesh hetime është konstatuar, se raporti i Dick Marty ‘për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë’, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.