Frrok Çupi/

Sot ishte dita përkujtimore e vrasjes së 16 deputetëve opozitarë që dolën nga zgjedhjet e Asamblesë së Përgjithshme të 2 Dhjetorit 1945. Kuvendi i Shqipërisë vendosi ta përkujtojë me një seancë kremoriale.

Kam kaq shumë arsye që salla e madhe e ligjeve të më bëhej sikur po përjetoja një qeli.

Feksja e parë: Aty ishin tre:

Ishin tre njerëz: Edi Rama, Lulzim Basha dhe Gramoz Ruçi. Secili me një kolonë shumë të rëndë pushteti mbi shpinë: I pari- qeverinë; i dyti- Opozitën dhe i treti- Republikën, si kryetar i Legjislativit. Të tre në të njëjtën ’qeli’. Po t’i pyesësh pse u ndodhen në këtë sallë, secili ka përgjigje të përafërt me tjetrin. Të gjitha përgjigjet konvergojnë në të njëjtën vlerë: Demokracia!…

Edi Rama, i cili realisht ka më shumë kontribute anti-komuniste, edhe pse udhëheq palën e majtë ish- komuniste, deklaron se është këtu “për Demokracinë”. Edhe Lulzim Basha, që ka të vetmin kontribut që në vitet ‘90 shpërndante gazetën antikomuniste “R.D.” e shpall veten ‘i Demokracisë”. Gramoz Ruçi, ish ministër i Brendshëm i diktaturës komuniste, ndodhet sot këtu ‘për Demokracinë’, sepse nuk mban mend nëse kreu krime në diktaturë?…

Salla sot kishte vetëm tre vetë. Një nga studiuesit e zellshëm të periudhës së komunizmit, ka përshkruar të njëjtën sallë, domethënë të njëjtën qeli, me tre vetë: I pari qëndroi në qeli disa ditë i vetëm, derisa sollën të dytin. Pastaj nuk folën me njëri tjetrin deri një ditë. “Pse të sollën këtu??”- pyeti i pari të dytin. “Fola keq për sekretarin e parë të Partisë”. “Aha!”- bëri ky që mori përgjigjen. “Po ty, pse?”- pyeti i dyti. “E lavdërova shumë sekretarin e parë të Partisë”, tha…

Mbetën ashtu të dy derisa erdhi i treti. Të tretin e pyetën menjëherë. Por fillimisht i treguan  ‘arsyet’ e veta: “Mua më  kapën se shava sekretarin e parë. Ndërsa ky shoku- sepse e lavdëroi shumë sekretarin e parë… Po ty, pse të arrestuan?”- pyeti. I treti heshti pak duke i parë në sy:

“Unë jam vetë sekretari i Parë”, tha…

Të tre burrat që ndodheshin sot në Kuvendin e Shqipërisë për të kremtuar 70 vjetorin e vrasjes së deputetëve nga komunizmi, mund të ishin secili ‘sekretar i Parë”. Por janë secili “për Demokracinë”. Punë regjimi; asgjë më shumë.

Pushteti është kthyer në regjim.

A jemi në Demokraci, apo në komunizëm?

Kjo ka shumë pak rëndësi; aq më tepër që Demokracia ndjehet e goditur fort. Në disa kombe si këtu, me zor merr frymë. Demokracia nuk është regjim; pushteti është regjim. Të gjithë mendojnë sipas pushtetit. Jo vetëm pushtetarët, por edhe opozitarët- aq më shumë…

Nëse opozitari nuk do të lëshonte mallkime kundër komunizmit sot në sallon e Kuvendit, atëherë do të humbte shumë vota nga radhët viktimave të komunizmit. Në rast se nuk do të hidhte parulla anti- komuniste, kryetari i PD do të pësonte goditje të tjera nga kundërshtarët brenda PD… Ky është regjimi.

Nëse kryeministri nuk do të shpallej si ‘lider i Demokracisë”, siç deklaroi në një gazetë Austriake, atëherë do të dukej se përkrah komunizmin. Komunizmi është shumë primitiv për rininë dhe ai nuk do ta humbë këtë masë simpatizantësh…. Dhe ky është regjim.

Nëse, i treti, kryetari i Kuvendit, nuk do të kishte “harruar” çfarë vepra të shëmtuara kreu në diktaturën komuniste, atëherë nuk do ta pranonte postin e lartë në një Kuvend pluralist. Pa post nuk ka pasurim, nuk ka interesa, makina të shtrenjta, shtëpi luksoze, trafik influence… Ky është regjim.

… Po flasim për ata të tre që dëshmova që në fillim. I treti ishte vetë sekretari i Parë i Partisë. Më duket se edhe Kuvendi është e njëjta qeli.

Edhe në vitin ’47, para 70 vjetësh, tre vetë ishin gjithsej:

Ata ishin 16 deputetë, që u dënuan me vdekje me urdhër të vetë diktatorit. Edhe ata ishin ‘të gjithë  me Sekretarin e Parë”. Pjesa më e madhe e deputetëve që u zgjodhën në votimet e 2 Dhjetorit 1945 për Asamblenë e Përgjithshme, ishin nga radhët e Luftës dhe të Partisë Komuniste.

Në sallën e madhe të Asamblesë u dalluan 16 deputetë të “Grupit” opozitar, që në fakt as vetë nuk e kishin kuptuar se ishin opozitarë, por funksiononin sipas një regjimi tjetër nga regjimi zyrtar. Ata kishin besim në Aleancën Anglo- Amerikane dhe këtë besim e mbronin. Në shtator të vitit 1947 u mor vendimi përfundimtar dhe ata lanë ‘qelinë’.

Por sidoqoftë, aty brenda ishin tre kategori:

E para, partizanët me ideal lirinë e njeriut, por që në fakt kishin sakrifikuar jetën për të ndërtuar regjim kundër lirisë.

E dyta, komunistët, të cilët u ndanë për shkak të ‘regjimit’ në dy anë: vrasës dhe viktima brenda llojit. Për shembull, deputetët Gjergj Kokoshi, Enver Sazani dhe Selaudin Toto ishin të studiuar jashtë vendit dhe nuk pranonin regjimin obskurant, jetonin në regjim tjetër. Njësoj siç kishte ndodhur me komunistin Zai Fundo. “Zain e Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni”, kishte shkruar Enver Hoxha për mikun e tij komunist…

Kategoria e tretë, fitimtarët si Enver Hoxha- sekretar i Parë.

Por të gjithë në të njëjtën qeli, sepse të gjithë, dikush si kundërshtar, sikush si apologjet- komunizmin kishin si regjim të të menduari.

… Sigurisht kjo nuk është Trinia, por një sinqeritet në qasjen ndaj komunizmit. Të tre këta që pamë sot në sallën e Kuvendit mund të betoheshin ‘për Komunizmin’ siç u betuan ‘për Demokracinë’, nëse Komunizmi do të vazhdonte të ishte regjim sot e kësaj dite.

Veritas.com.al/