Nga Ardit Rada
Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ dhuroi sot një shfaqje sa të shëmtuar, po aq përtej kufijve të logjikës. Partia Demokratike mezi ka pritur që të erret për të mbledhur përmes mesazheve telefonike kë të mundte dhe për të bërë te dera e Edi Ramës atë që nuk bënë dot Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi para dhe pasi dogjën mandatet. Personalisht kthehesha nga një vizitë në ambulancë për arsye shëndetësore dhe teksa ndalova në një kafene, dy tre djem hynë vrullshëm dhe përshëndetën kamarierin. Po ikim në protestë i thanë, dhe kapuçët e xhupave i kishin vënë mbi kokë një orë para se të mbërrinin në shesh. Ishin a nuk ishin 15 vjeç…
Një punonjës i Policisë së Shtetit, siç janë mbi 10 mijë të tillë, ka kryer një akt të rëndë. Ka vrarë një qytetar të pafajshëm i ndodhur jo në rrethanat e kushteve të vetëmbrojtjes, por të frikës së momentit nga një veprim i i dyshimtë i viktimës. Ose ndoshta polici mund të ketë qenë edhe i dehur, por për këtë opsion nuk u interesua Lulzim Basha. Sot, nga qindra protestues që u mblodhën me qirinj, përfunduan në dhjetra që në shenjë hakmarrjeje ndaj një qytetari, tentuan të njollosin të gjithë Policinë. Madje më keq akoma, ta ndëshkojnë të gjithë trupën e Policisë për hir të një vrasje pa dashje apo të gabuar, përmes dhunës ndja tyre.
Të vetmit që janë lumturuar mbrëmjen e së mërkurës nga pamjet para Kryeministrisë nuk ka dyshim që janë Lulzim Basha, Monika Kryemadhi apo Ilir Meta që prej muajsh i fryn prushit për të ndezur zjarr. Presidenti i Republikës për të disatën herë nxiti shqiptarët duke u shprehur se ‘Policia ka dy vite që është bërë e dhunshme dita ditës’. Ky është turp i madh, që u reflektua në parrullat që mbështetësit e tij dhe të pikës së tij të dobët, Sali Berishës, shkruan mbi muret e Ministrisë së Brendshme. Me spraj, kudo u zhgarravit “ACAB”. Për prindërit e mi dhe të gjithë që nuk e dinë anglisht, bëhet fjalë për inicialet e”All Cops Are Bastards”. E thënë shqip: Të gjithë policët janë bastardë.
Një parulë dashakeqe dhe po aq idiote sa veprimet e turmës. Që te djegia e pemës së Vitit të Ri, te sulmet mbi godinat, te sulmi mbi makinën e Policisë, plagosja e së paku 10 efektivëve, djegia e shamive, këndimi i himnit, pështymat ndaj forcave të rendit. Apo kapuçët e xhupave mbi kokë, të frymëzuara nga trupa paramilitare që Lulzim Basha krijoi sapo mori Partinë Demokratike duke i titulluar “KRAH” (Korpusi Rinor Azem Hadajri).
Në fakt vrasje aksiendale apo të gabuara të Policisë gjatë aksioneve kanë ndodhur kryesisht gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Kur një i mitur u vra brenda një makine diku afër Lezhës. Kur një e mitur u plagos nga snajperi gjatë një pengmarrjeje. Këto janë aksidentalet dhe të gjitha u dëmshpërblyen me mijëra euro. Ka pastaj edhe flagrante, ku katër protestues u ekzektuan me duar në xhepa më 21 janar 2011. Ka edhe më keq. Kur policia vrau një kriminel të armatosur diku nga Shijaku dhe Sali Berisha mbajti zi pse ministri i kohës u tha vartësve “bravo çuna”. Por këto janë histori të turpshme që nuk ia vlen të përmenden më, jo se viktimat nuk meritojnë respekt njerëzor. Por se në rastin e 21 Janarit, fjala bie, drejtësisë nuk ia dorëzoi autorët Hysni Burgaj, që sot e delegojnë për të bërë fushatë për PD. Dhe ky është një turp pas turpi, ku ish-drejtori i Policisë së Shtetit dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Xhemal Gjunkshi janë kandidatë të partisë së njeriut që drejtoi shtetin më policor që ka pasur ndonjëherë ky vend. Apo aq më keq Bahri Shaqiri, ish-drejtori i SHISH që e ka çuar patia e Ilir Metës kandidat në Shijak.
Të më ndjejnë prindërit e Klodian Rashës për këto radhë. Ky shkrim nuk është për ta. Jo Klodianit, por askujt nuk do t’ia uronim vdekjen për asnjë arsye. Kemi rënë dakord që në vitin 1994 për hir të konventave dhe kulturës perëndimore që penetroi në shkolla, se jetën ta merr veç Zoti. Këto radhë nuk janë për Klodianin, por për ata që i hedhin benzinë zjarrit me Fejsbuk dhe mbledhje grup-seksionesh.
Në 8 dhjetor 1990 krijuan lëvizjen demokratike që pasoi me rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës. Sot, 30 vite më pas rrëzuan pemën e Vitit të Ri.
Goxha arritje! Bravo!