Klajdi Tafaj, është shpallur në kërkim pasi ka qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një automjet në autostradën e Laçit, teksa po merrnin një nuse.

21-vjeçari banues në fshatin Gjormë, Kurbin, shfaqej në një video e cila u bë publike në rrjetet sociale duke qelluar me kallashnikov nga dera e një makine‘Range Rover’, i pashqetësuar në një rrugë plot me makina.

Ngjarja ka ndodhur me datë 15 gusht, ku Klajdi Tafaj ka qëlluar në ceremoninë e dasmës së kushëririt të tij, shtetasit M. T. Policia ka proceduar penalisht edhe dhëndrin, 30-vjeçarin me iniciale M.T, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Arma e zjarrit kallashnikov me krehër me fishekë, me të cilën dyshohet të jetë qëlluar, u gjet dhe u sekuestruar gjatë kontrollit në banesën e 21-vjeçarit Klajdi Tafaj.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.