Tridhjetë vjet jetë, është një kohë shumë e gjatë. Për një 30-vjeçar, është vetë jeta. Por edhe për një njeri që i ka kaluar të shtatëtëdhjetat, është një pjesë e rëndësishme, është periudha kur ai zhvillon veprimtarinë më të rëndësishme të jetës, karrierës, punës. Për një të huaj që vjen në një vend të vogël, të varfër e të drobitur, të sapodalë nga lëngimet e gjata të diktaturës komuniste, kjo periudhë jete mund të shndërrohet në mision.

Pikërisht kjo ndodhi me Pier Paolo Ambrosin, italianin që erdhi në Shqipëri menjëherë pas viteve nëntëdhjetë, i përfshirë në projektet zhvilluese të qeverisë italiane dhe që “mbeti” në Shqipëri, projekt pas projekti, mision pas misoni, duke u përpjekur vazhdimisht e duke dhënë kontribut të vazhdueshëm në zhvillimin social dhe ekonomik të zonave më të pazhvilluara të Shqipërisë, derisa një ditë të bukur e kuptoi se ishte dashuruar me këtë vend të vogël e të varfër por mbresëlënës që kishte qenë gjithmonë kaq pranë, në anën tjetër të Adriatikut.
Shpirti i madh i këtyre njerëzve binte aq ndesh me varfërinë e tejskajshme, saqë ky paradoks u bë gradualisht edhe energjia e përhershme e italianit të qetë, që ka shkelur thuajse të gjitha qoshet e Shqipërisë, duke njohur e zbuluar prej saj më shumë se shumë shqiptarë që kanë pasur e kanë mundësi ta bëjnë këtë gjë.

I përfshirë fillimisht në projektet e Caritas Italiana, që synonin fillimisht ndihmën e më pas nxjerrjen nga varfëria të shumë zonave të zhytura në mjerim, me kalimin e viteve këto projekte u ndërthurën e u profilizuan në zona e fokuse që nuk kishin më si qëllim thjesht ndihmën apo zhdukjen e varfërisë por nxjerrjen në pah të vlerave e potencialeve, sidomos atyre turistike dhe njerëzore. U kuptua shpejt që Shqipëria mund të zhvillohej vetëm me turizëm dhe me sipërmarrje që lidheshin ngushtë me tokën dhe mjedisin. Por që të zhvillohej turizmi, duhej që së pari banorët e zonave me potencial turistik ta kuptonin këtë. Nuk ka qenë një punë e lehtë, nuk kanë qenë projekte që zhvilloheshin brenda nëpër zyra e nëpër workshope. Ka qenë një punë që ka zgjatur dekada, e bërë e gjitha në terren, duke luftuar me paragjykimet, mungesën e zhvillimit, moskuptimin e vlerave të brendshme, vështirësinë për të bindur vendasit se vetëm vetë ata do ta zhvillojnë vendin e tyre.

Por ia ka dalë. Mund të themi me plot gojën që sot, pas 30 vjetësh veprimtari të vazhdueshme, mes përpjekjesh e pasionit, mund t`i thuhet falemiderit këtij misionari, për shpresën dhe dashurinë për punën, që ka mbjellë kudo ku ka shkelur, për çdo zonë dikur të harruar që sot ka një aktivitet e mirëqenie sociale, për çdo turist që viziton sot Malësinë e Madhe, Kelmendin e Shkrelin me fshatrat e tyre të mrekullueshëm Lepushën, Tamarën, Razmën, Bogën, por jo vetëm. Për plot zona të tjera të Shqipërisë që as shteti nuk i pa me sy e që dolën nga varfëria në sajë të përkushtimit të këtij njeriu.

Pa dyshim mund t`i thuhet faleminderit për punën e madhe që ka bërë për të vendosur në piedestalin e shijes botërore shumë prej gatesave shqiptare të prodhuara me produkte vendore, thesare të vërteta gastronomike. Pa ndihmën e tij shumë destinacione shqiptare sot të njohura botërisht, me siguri nuk do të ishin këto që janë sot.

Sot ne shqiptarët që prekim nga afër fushën e turizmit, mund të jemi krenarë që një italian na ka përfaqësuar kaq mirë nëpër botë, nëpër stenda panairesh ndërkombëtarë, që e ka dashur Shqipërinë si një shqiptar i vërtetë e nganjëherë edhe më shumë se shumë shqiptarë.

Natyrisht, këtë nuk e ka bërë vetëm. Ka patur në krah një grup djemsh e vajzash të pasionuar te të përkushtuar, që janë nxitur prej tij e kanë besuar se një ditë do t`ia dalin. Dhe ia kanë dalë.

Por sot nuk është dita e tyre. Sot është dita e Pier Paolos. Sot qe dita e tij e fundit në këtë jetë. Dhe çdokush që e njohu nga afër dhe pa me sytë e tij se sa shumë bëri ai për Shqipërinë, nuk mund të mos ndjehet sot i trishtuar, për udhëtimin e ndërprerë, planet e lëna përgjysëm, projektet e shumta që prisnin të merrnin jetë në Shqipëri. Njerëz si Pier Paolo, boshllëkun e madh që lë mungesa e tyre fizike, e kanë mbushur pa dyshim me vepra të mira, të cilat do të kujtohen gjatë prej atyre që dinë të jenë mirënjohës.

Lamtumirë Pier Paolo. Faleminderit për 30 vitet që i dhe Shqipërisë!

VERITAS.COM.AL