Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shpërndarë një fjalim të ish-prokurorit të përgjithshëm amerikan dhe ish-gjyqtarit suprem, Robert Xhekson, pasi kundërshtoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e pezullimit nga detyra e funksioni të zv.kryeministres Belinda Balluku nga GJKKO.
Rama shkruan se fjalët e shekullit të kaluar nga Xhekson, në vitin 1940 në SHBA, janë më aktuale se kurrë sot në Shqipëri, sidomos kur drejtësia ndërhyn në kompetencat e qeverisë.
“Robert Xheksoni i mësoi botës demokratike se kur prokurori kërkon njeriun përpara krimit, drejtësia vdes dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet.”
Rama po ashtu shton, se drejtësia duhet të jetë e pavarur, por jo e verbër, e të dalë nga kufijtë e saj.
“Fjalët e tij të kumtuara në mes të shekullit të kaluar, mbeten udhërrëfyese për këdo që beson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, por kurrë e papërgjegjshme; e fortë, por kurrë e verbër ndaj kufijve kushtetues.”
Por një mesazh e ka edhe për prokurorët e SPAK. Kësaj radhe duke cituar vetëm fjalët e Robert Xhekson. Një prokuror bëhet i rrezikshëm kur për të goditur një zyrtar do të gjejë edhe gjilpërën në kashtë.
“Fuqia më e rrezikshme e prokurorit është kur ai i zgjedh ata që mendon se duhen goditur, në vend që të zgjedhë çështjet që meritojnë të ndiqen. Një prokuror ka shansin ta gjejë të paktën një shkelje teknike tek pothuajse çdo njeri.”
Pasi e konsideroi akt antidemokratik dhe rast unikal në Europë, kryeministri Edi Rama kërkoi të premten në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e vendimit të GJKKO për pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku nga detyra dhe zgjidhjen e mosmarreveshjes se kompetencave mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor pas këtij vendim. Gjykata Kushtetuese ka pranuar këtë kërkesë, relator është caktuar gjyqtari Sandër Beci, dhe brenda 10 ditësh pritet vendimi.
Komente