Liderët e G20-tës, dënuan me termat më të ashpër agresionin rus në Ukrainë dhe kërkuan tërheqje pa kushte të trupave të Moskës, në një deklaratë të miratuar ne fund të samitit dyditor në Indonezi.

“Shumica e anëtarëve dënojnë ashpër luftën në Ukrainë”, thanë liderët në një deklaratë, duke sinjalizuar se Rusia që është anëtare e G20-tës, e kundërshton një pohim të tillë. Deklarata pranon se ka pasur pikëpamje dhe vlerësime të ndryshme lidhur me situatën dhe sanksionet, por tre diplomat thanë se ajo ishte miratuar unanimisht.

“Është vendimtare t’i përmbahemi ligjit ndërkombëtar dhe sistemit multilateral që garanton paqen dhe stabilitetin. Kjo përfshin mbrojtjen e të gjitha parimeve të përfshira në Kartën e OKB dhe aderimin ndaj ligjit humanitar ndërkombëtar”

Pjesë nga deklarata

Udhëheqësit e ekonomive më të mëdha në botë, thanë gjithashtu se kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore ishte i papranueshëm. Qeveria kineze nuk pati një koment të drejtpërdrejtë lidhur me deklaratën por media shtetërore publikoi më vonë një përkthim të saj në gjuhën kineze.

Duke u shkëputur për pak momente nga bisedimet e ngarkuara, të shënjuara edhe nga ngjarja në Ukrainë, liderët e veshur me bluza të bardhe dhe kapele bejsbolli me logon e G20 morën pjesë në një ceremoni të mbjelljes së pemëve, për të sinjalizuar një tjetër angazhim  të rëndësishëm; lufta kundër ndryshimeve klimatike.