Frrok Çupi/

Deri dje ishin 28, ditën e Shtunë kur të mblidhen në Romë për të festuar 60 vjetorin e BE, në Hollin ‘Horatii dhe Curiatii’, do të jenë vetëm 27. E njëzeteteta, Theresa May njoftoi se ndodhet në Londër se po përgatit “shtëpinë” për t’u larguar nga BE.

Për ditën e shënuar në familje, në qoftë se mungon dikush, kjo quhet e kobshme dhe ogur i keq. Bashkimi Europian është në fazën kur po humb pjesëtarët e familjes; ata shkojnë drejt “parajsës”, ndërsa BE feston. Por, mos harrojmë,  ka shkuar Anglia në “parajsë”, një nga anëtarët më të fuqishëm të Bashkimit. Nesër pritet të shkojë Franca me fitoren e Marine Le Pen. Pastaj priten Hungaria, Polonia, ndoshta edhe Italia. Holanda ishte në prag të “stacionit” të largimit, por edhe ka mbetur në prag.

Fatkeqësi e shterpësisë! Askush nuk pritet që të vijë në “familje”, veçse të ikin. BE tani i ngjan një shtëpie me pleq ku pritet parajsa e të dytit pas të parit dhe e të tretit pas të dytit… Paradoks, BE ka caktuar si temë të takimit “të ardhmen e përbashkët”. Ata largohen pa kthim, këta thonë “e ardhme e përbashkët”!

Ku e varin shpresën e “të ardhmes bashkë”?, në qiell?

Liderët e 27 vendeve të BE e ndjenë nevojën e Hyjnisë dhe bënë një shtesë në programin e festimit të 60 vjetorit: Iu drejtuan Papa Francis dhe i kërkuan një audiencë në Vatikan ditën e Premte pasdite. (Të shtunën është dita e ceremonisë dhe këta vijnë të bekuar). Në njoftim thuhet se audienca me Papën bëhet “ndoshta për të kërkuar një frymëzim hyjnor që të ndihmojë në turbullirat tona”.

Të njëzeteshtatët do të duken si hije që lëvizin nëpër Romë. E njëzeteteta, Theresa May, pat deklaruar se “dua që të shpëtoj punët” në Brexit. Ajo  ka dërguar këtë mesazh për ditën e festës: ‘Të 27-tët e BE po lëvizin në një drejtim, publiku Britanik votoi që të shkojë në drejtim tjetër’.

Disa, kryesorët mes liderëve që ndodhen në festën e të Shtunës janë- por edhe nuk janë. Presidenti i Francës, Francois Holande, në fakt nuk është. Ai nuk është më president i Francës pas datës 23 prill; edhe gjatë kohës që ishte- ishte presidenti më jo-popullor i Francës në histori. As Jean- Claude Junker nuk është më president i Këshillit Europian; ai ka deklaruar se “dyshon” që të ketë më BE dhe se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme. Edhe Merkel, thuajse nuk është. Kancelarja e fortë gjermane tani është më e dobët se rivali Shultz në zgjedhjet që po vijnë. Por edhe po fitoi në Gjermani, nuk do të jetë më në BE. Merkel ka kërkuar një “BE me disa shpejtësi”, gjë që do të thotë se nuk do të jetë më ky Union.

Shiko sa pak kanë mbetur në këtë “familje”. Këta që janë- edhe janë edhe nuk janë. Të tjerët ishin e tani nuk janë më. Zonja Merkel ka përcjell Renzin e Italisë, po përcjell  Holande të Francës, përcolli Cameronin e Britanisë. Të gjithë ishin bashkë kur nuk kuptonin çfarë po ndodhte.

Tani ja ku jemi… në festën e 60 vjetorit të ditës kur në vitin 1957 u mblodhën 6 burra shtetesh dhe ndërtuan një BE që u quajt “një ëndërr”.

Edhe vetë shtetet tani janë bërë si njerëzit; janë kthyer në ëndërr ose hije. Këtë e ndjejnë qartë liderët- hije.

Për dy çështje shumë të “rëndësishme” do të flitet në Ceremoninë e 60 vjetorit: E para, “e ardhmja e përbashkët”- dy fjalë që nuk kanë kuptim për këtë BE dhe njëkohësisht dy fjalë që nuk rrinë bashkë tanimë.

E dyta: Një foto familjare…

Temat e tjera nuk mund të preken me dorë sepse pëlcasin si zarfet me rrezik terrori që po vijnë në dorë të liderëve evropian.

Cila të preket?…

Të preket ideja e hedhur prej kohësh mbi ‘different paces and intensity’, propozuar nga Gjermania?! Në qoftë se do të preket kjo çështje, atëherë Polonia del menjëherë nga BE. Ajo deklaroi se “shpejtësitë e ndryshme” kanë për qëllim që  të fortët e BE të rrojnë në kurriz të më të dobëtit”.

Por në qoftë se nuk aplikohet rruga e “shpejtësive të ndryshme”, atëherë Gjermani dhe Francë nuk mund të qëndrojnë në këtë BE. Liderët e kanë deklaruar se Berlini dhe Parisi duan që të lejohet bashkëpunimi më i ngushtë, ndryshe shkojmë në trauma ose në “rrugën e Britanisë”.

Edhe vetë Presidenti i BE, Tusk- një polak që u armiqësua nga polakët, duket se e ndjeu se mund të mos jenë më në këtë BE. Ai ka formuluar një fjali thuajse lamtumire. “Sot të gëzojmë këtë oportunitet që ta festojmë historinë tonë së bashku”. Dmth., kaq ishte: Histori!

Ai numëroi rreziqet e mëdha që ka përpara ky Union:

-Kemi zgjedhjet kyç në Francë- tha ai- ku Marine Le Pen po shfaqet e fortë në sondazhe. Kemi edhe Gjermaninë,- që mund ta kthejnë gjithçka në pikën zero.

– Kemi sfidat e situatës gjeopolitike- tha- ku përfshihet aleati i pasigurt, presidenti i SHBA, Donald Trump; Rusia agresive dhe proteksionizmi në rritje…

…Megjithatë, këta që janë dhe që nuk janë, do të festojnë këtë të Shtunë.

/Veritas.com.al/