“Në Shqipëri ka kriminalizim dhe qeveria nuk siguron dot as cilësinë e produkteve ushqimore që importon!”. Kështu tha sot në një konferencë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, duke komentuar hapat që do të ndërmarrë opozita pas miratimit të ligjit.
Kreu i opozitës Lulzim Basha doli sot para mediave për të folur lidhur me miratimin e ligjit të importit të plehrave. Basha i kërkoi presidentit të Republikës që të mos e dekretojë këtë ligj. Ky është hapi i paër, sipas opozitës, për të arritur te protestat popullore dhe te një Referendum për ligjin mbi importimin e mbetjeve.
“Rruga kryesore është ndalimi i importit të plehrave ndaj ne do të bëjmë gjithçka që të mbyllet kjo çështje njëherë e përgjithmonë. Të kërkojmë nga Presidenti, mosratifikimin e ligjit; të bëjmë përpjekje në Kuvend dhe të krijojmë mundësi qytetarëve për t’u shprehur. Po ashtu, ne do të ushtrojmë të drejtën tonë që t’i kërkojmë Kuvendit të drejtën e referendumit”, u shpreh Basha.
Në vijim kreu i opozitës tha se “Nuk kemi gjë me ricikluesit shqiptarë. Ligji nuk po vjen për ata, por për interesa mafioze të Edi Ramës, Arben Ahmetajt dhe Damian Gjiknurit si dhe mafies ndërkombëtare të plehrave”, përfundoi Basha.