Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, të cilat synojnë të rrisin transparencën në treg dhe t’u japin konsumatorëve më shumë mundësi për të krahasuar çmimet dhe për të përfituar nga ofertat.
“Pasqyra e Çmimeve” nis me 238 produkte të ndara në 13 kategori, duke u mundësuar qytetarëve të shohin dhe të krahasojnë çmimet për të zgjedhur alternativat më të leverdishme për blerjet e tyre.
Ndërkohë, nisma “KURSE” përfshin 325 oferta me çmime të reduktuara, me një ulje mesatare prej 13,3% dhe ulje që arrijnë deri në 40%.
Gjatë prezantimit, Rama theksoi se platforma është pjesë e konceptit “Pasqyra Albania”, përmes të cilit synohet që qytetarët të kenë akses më të lehtë në informacion dhe të dhëna konkrete për sektorë të ndryshëm.
“Kjo pasqyrë e çmimeve është pjesë e konceptit “Pasqyrë Albania” dhe ne duam ta çojmë në një nivel tjetër në çdo sektor në mënyrë që të gjithë të shohin me sytë e tyre faktet. Krijimi i një pasqyre unike ku shteti është i aksesueshëm me një klik dhe njihesh me fakte dhe të vërteta që burojnë nga fakte dhe jo fjalë është i domosdoshëm në këtë kohë. Dhe pasqyra e çmimeve është një nga këta komponentë ku nuk ka asgjë tjetër veç fakteve që lidhet me produktet e shportës. Ndërkohë dhe shumë të tjerë më të vegjël në volume dhe po kaq të rëndësishëm t’i bashkohen kësaj nisme”, tha Rama.
Komente