Nga: Alba Malltezi/

Ndërsa Fieri mburret përditë me ndërtesat, rrugët, urat, shkollat (dhe mirë bën), Liliana Sema, 66 vjeç luftonte përditë për të mbijetuar derisa vdiq. E ngrirë, në shtëpinë-barrakë, ku në një kënd mbante librezën e energjisë elektrike me pagesat e pamundura për shkak të varfërisë. Të afërmit e gjetën ashtu, pa zjarr, me furnelën e vogël elektrike që nuk mund ta ndizte dot.

Nuk ka asgjë të keqe të mburremi për arritjet, gjërat e bukura që bëjmë në një qytet, por asgjë nuk ka vlerë nëse humbim humanizmin dhe ndjeshmërinë. Ndjeshmëria nuk është ajo që trumbetohet si lëmoshë: më jep a të jap lekë, lekë,lekë, apo qeset me ushqime të fotografuara bukur e të shpërndara në social media, as shoqatat fetare që bëjnë garë se kush duket më mirë në ngjyrat e qeseve që shpërndajnë, veprime që mbushin stomakun e të varfërve vetëm për pak ditë, ndërsa pasurojnë me fonde milionash organizata e OJF. Ndjeshmëria është logjika, arsyetimi dhe puna e palodhur dhe sistematike e një shteti përballë njerëzve të brishtë dhe në nevojë, humbja e kohës dhe durimi nga djemtë dhe vajzat tona më të mirë për t’i dëgjuar dhe evidentuar për t’i ndihmuar sistematikisht.

Një i moshuar, një pensionist, pas një jete të kaluar në një sistem diktatorial e të padrejtë, me pensionet që nuk mjaftojnë as për të paguar ilaçet e sëmundjeve të pleqërisë, nuk duhet të lihet sot vetëm nga shteti. Shumë të moshuar shqiptarë kanë fatin të kenë si mbështetje familjet, por eksperiencat e vendeve më të civilizuara tregojnë se edhe familjet shpesh rrënohen për arsye nga më të ndryshmet ekonomike dhe sociale. Për këtë arsye një i moshuar nuk mund të “braktiset” dhe të lihet në mëshirënas të familjarëve. Krahas godinave, rrugëve, dritave që shkëlqejnë qytetet tona, duhet të ngrohet zemra e punonjësve socialë që të punojnë me pasion dhe durim me njerëzit e brishtë. Eshtë një detyrim i të gjithëve që gjërat të na shkojnë nëse duam, mbarë.