Namir Lapardhaja 

lir Meta shpalosi “Shtëpinë e Lirisë”. Një hap i llogaritur pikërisht teksa sheh rrëshkitjen e pakthim të Sali Berishës, sidomos pas “non-gratës” britanike.

Cinizmi i Metës u duk edhe më i madh kur aludoi për drejtësi, duke thënë se “nëse amerikanët kanë fakte, le ta ekstradojnë atje”.
Pra, qartësisht, Ilir Meta, me ndihmën e pakursyer të Sali Berishës, po nis rrugëtimin për ekzekutimin e partisë më të madhe të opozitës. Ndërrimi i emrit të LSI-së është ndarja me të shkuarën si parti e majtë dhe rrugëtimi për të rrëmbyer opozitën në emër të një lëvizjeje popullore apo, siç e quan ai shpesh, “me popullin e 2 marsit”.

Por të gjithë e dinë se më 2 mars sheshin ia mbushi PD-ja dhe demokratët. E padyshim që ai ndoshta që në atë kohë ka projektuar rrëmbimin e opozitës, duke e transportuar në atë që e bëri si provë të përbashkët me Sali Berishën më 7 korrikun e këtij viti.

Ilir Meta e konsideroi partinë e tij të re si “Shtëpia e Referendumit”. Gjithçka duket se kërkon të realizohet brenda kohës që po u jep Rama atij dhe Berishës, duke vonuar çdo vendim gjykate lidhur me të drejtën e përfaqësimit zyrtar të demokratëve.

Duke e futur opozitën në çarkun e nacionalizimit, sovranizmit, e duke përfshirë në mënyrë të rrezikshme edhe Kosovën, siç vetë Meta e përmendi disa here, kjo lëvizje është ndoshta fitili i një bombe politike që kërkon të fundosë një herë e mirë shtëpinë politike të qindra-mijëra demokratëve, të cilët nuk pajtohen me talljen që i bën Berisha me refuzimin e fuqisë reale që ka në politikë SHBA-ja dhe Britania.

Shumë kanë paralajmëruar se “patriotizimi është streha e fundit e dallkaukëve”. Berisha dhe Meta po e hapin këtë derë.

Një derë që edhe Rama e ka kaluar së fundmi me këmbënguljen e tij për amnistinë fiskale, teksa deklaroi se nuk i intereson asnjë mendim i SHBA-së dhe BE-së. Fundja, e ka këtë privilegj ta thotë, kur sheh se kundërshtarët e tij politik e konsiderojnë një hiç SHBA-në kur ajo i akuzon për minim të demokracisë dhe korrupsion domethënës.

E pastaj ka nga ata që nuk duan të kuptojnë se përse Rama lutet çdo natë që Berisha e Meta të mbajnë sa më gjatë opozitën peng…