Nga L. Skiro/

Tanimë ngjarjet në vend nuk sjellin as surpriza, as emocione. Të gjitha janë të ‘njohura’. Në një kuptim kemi arritur në vitet ’80 të shekullit të kaluar kur askush nuk bënte më pyetje ‘pse shoku ‘X’ u zgjodh në Byronë Politike?

Këto të gjitha i di ‘Partia’. Në situatat e tanishme, ‘Partia’ ka me vete edhe autoritetin e SHBa dhe BE të përfaqësuara shpoesh herë personalisht nga ambasadorët e këtyre fuqive.

Në prokurorinë e Përgjithshme , njësoj si në qeveri dhe në Kuvend, mund të ndodhë gjithçka, por nuk përbën lajm. Sepse askush tjetër veç “partisë” dhe dy ambasadorëve nuk ka gjë në dorë.

Ja por shembull lëvizjet e fundit në Prokurorinë e përgjithshme:

Drejtoresha e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë, Rovena Gashi është lëvizur nga ky post, për t’u zëvendësuar me njërin nga garuesit për postin e lartë në krye të Prokurorisë, zotin Arqile Koçi, prej vitesh prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Pyetja mund të bëhet pse lëvizet zonja Gashi; dhe njerëzit e dinë përgjigjen: “Zonja Gashi bëri gati dosjet hetimore mbi ish ministrin Tahiri dhe deputetin ‘Çifja’.  Kaq e thjeshtë. Ndërsa zoti Koçi vjen në këtë pozitë për shkak se ‘Partia’ nuk ishte e qartë deri në fund cilin të zgjidhte mes tij dhe zonjës Marku. U zgjodh Marku dhe u shpërblye Koçi.

Arqile Koçi do të ketë gjithashtu nën varësi edhe sektorin, që sipas ligjit të dekriminalizimit, verifikon integritetin e zyrtarëve, që do të thotë një garanci se askush nga kupola e pushtetit nuk do të ketë ‘gjemb në këmbë’..

Drejtimin e prokurorisë më të madhe në vend, Tiranën, do ta marrë në dorë Dritan Rreshka, i diplomuar për magjistrature dhe një nga liderët e njësisë Task Forcë të ngritur vite më parë me mbështetjen e amerikanëve. Rreshka zëvendëson ish-eprorin e tij Petrit Fusha, i cili kalon prokuror sektori për çështje të veçanta. Në fakt, përpara se të kryente lëvizjet, e premtja e Prokurores së Përgjithshme ka nisur me një takim në zyrën e saj me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili qëndroi aty për 30 minuta. Me siguri ka shërbyer si i deleguar i qeverisë në Prokurori- gjë që është krejt në kundërshtim me Republikën Parlamentare.

Ndryshime të tjera do të ndodhin; por edhe pse jo në përputhje me ‘balancimine  pushteteve’ të Republikës Parlamentare, askush nuk do t’i gjykojë. Tashmë nuk ka kush të gjykojë, sepse Partia nuk gabon

Veritas.com.al/