Nga: Veritas.com.al/

Kështu tha Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një Konferencë të mbajtur në Europë. Konferenca titullohej “Krimet e regjimit komunist në Shqipëri dhe mbahej në Sallonin e Deputetëve të Parlamentit Europian”, organizuar nga Ministri belg i Shtetit, Euro-deputeti Louis Michel dhe Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Evropian në Bruksel.

“Në Shqipëri, për fat të keq, vërehen sot e kësaj dite disa tendenca dhe përpjekje për të rilindur të kaluarën e hidhur dhe për ta justifikuar atë në një farë mënyre”, tha presidenti Nishani gjatë fjalës së tij. Zoti Nishani e shoqëroi konkluzionin e tij me këto aspekte të jetës aktuale:

Ngjallja e simpatisë për jetesën komuniste në diktaturë ka nisur nëpërmjet glorifikimit të figurave të regjimit totalitar, nëpërmjet shndërrimit të objekteve të urryera të diktaturës në të ashtuquajtura ‘vepra arti’ dhe vende turistike, apo edhe nëpërmjet një lustrimi fals të ngjarjeve apo fakteve historike- tha Presidenti i Republikës.

Krahas vlerës që ka diskursi i Presidentit, si i vetmi nga radhët e politikanëve të lartë të shtetit që rreket me këtë ide madhore, përsëri vërehet se kritika ndaj komunizmit mund të bëhet vetëm jashtë kufijve të shtetit. Vërehet një mos- përputhje mes konstatimit se “në Shqipëri” diktatura komuniste ishte më e egra; dhe faktit që vetëm në Shqipëri diktatura komuniste nuk ndëshkohet shtetërisht. Përkundrazi, siç  tha Presidenti i Republikës, këtu po “përkëdhelet” diktatura përmes pseudo- artit dhe reklamës.

Presidenti i Republikës e vlerësoi konferencën e Brukselit si shumë “të veçantë” dhe “me një temë shumë të rëndësishme”. Ai tha se vetë ndihet “i privilegjuar” që merr pjesë. Mirëpo nu njoftoi asnjë iniciativë që kjo konferencë “e veçantë” të mbahet edhe në Tiranë ku diktatura ishte më e egra.

Presidenti Nishani përmedni shumë krime të kryera gjatë diktaturës komuniste; më së shumti u përqendrua mbi tregime të dhimbshme ndaj grave dhe intelektualëve; me siguri kjo u zgjodh për të krijuar më shumë emocion. Por fakti që në Shqipëri, që pas vitit 2013, kur qeveria majtiste post- komuniste mori pushtetin, komunizmi është ngjallur me guxim, kjo dëshmon se ka heshtur zëri i intelektualëve në vend. Por më shumë është një çështje shtetërore për mbrojtjen e individit në post- komunizëm.

/Veritas.com.al/