Frrok Çupi/
Tani ndodhen të gjitha në fund të betejës, ose edhe në fushë të betejës. Lufta ka mbaruar pa u dukur. Qeveria është dorëzuar, edhe pse nuk e ka thënë. As u ka “grat” fjala, as teatri, as kërcënimi, as shantazhi. T’i gjesh në rrugë tani nuk u avitet njeri. Një gjë është arritur, minimumi: Kjo qeveri nuk kthehet dot më; as ky kryeministër.
Atje në bazë (bazë është fjalori tipik i komunizmit për njerëzit që numërohen si vegla pune), atje po ndahen depot dhe thasët e fundit me drogë. Kreu i qeverisë ndihmoi pa dashur, duke përplasur ministrat e tij kokë për kokë dhe këta do të nxjerrin nga depot njëri -tjetrin. Edhe pulat e komshinjve të depove ndjehen kokë-prera, por si pas stuhisë.
Partitë aleate në qeveri e kanë mbaruar “turin” dhe po mblidhen në shtëpi. Duhet të bëhen gati për “stinën” tjetër, por jo me këtë aleat. “Çamët”- si të rinj në politikë, kishin shpresuar te rezolutat e BE-së. Ndërsa Ilir Meta i la këta që “të humbin rrugës”; vetë e drejtoi vëmendjen nga Amerika e Donald Trump. Duket se diçka ka ndjerë që vendosi t’i lëshojë armët e vjetra.
Vetë kryeministri nuk po beson vetveten; edhe pse e di se “gjahu erdhi në shtëpi” ai thotë “po i vij rrotull edhe kësaj anë- mali!”. Sikur qeveria të kthehet në “mitër” e të rilindë prapë, kurrë nuk kthehet më në pushtet.
Opozita ka aplikuar taktikën e lashtë greke “ngjallu pa u dukur”. Tani opozita , nga padukshmëria, dominon gjithçka: Si ata që e duan, ata që e urrejnë, ata që e përqeshin dhe ata që kanë shpresë. Pamja e Çadrës së Protestës është pamja më tipike e një lufte të mbaruar: Armët ose nuk kanë qenë kurrë, ose janë hedhur tutje si pa vlerë…
Por sa vjen e mbaron, lufta bëhet gjithnjë e më e vështirë. Nuk është e vështirë lufta, është i shënjuar vendi ku po bëhet lufta. Vetëm në kohë luftërash banorët e këtij vendi e kanë kuptuar mirë sa shumë vlen kjo arenë; ndërsa në kohë paqeje lëshohen në mosvlerësim.
Ky vendi ku po bëhet lufta “për votën e lirë” në fakt e ka më larg “thelbin”.
Duhen prurë disa fakte dhe duhen bërë disa pyetje- për të gjetur realisht vlerën e arenës:
1.
Pse kryeministri përsëri dje kërcënoi me “rrezikun Rus”. Ai dje kërcënoi opozitën se po e lidh vendin me Moskën. Është njësoj si në teorinë e kriminalistikës: Atje ku kryen krimin, atje domosdo do të kthesh kokën… Lidhja me një komunizëm të llojit më të butë lindor, u krye përgjatë katër vjetëve nga qeveria e Rilindjes. Nën diktatin dhe përkujdesjen e George Soros, Rama dhe Co., shërbyen pikërisht orientimin majtist të llojit soroist. Sot gazeta “Washinton Times” ka shkruar: “Organizata si Shoqëria e Hapur’ e Soros po forcojnë lëvizjet e krahut të majtë në rajon në kundërshtim me interesat amerikane. Soros ka përdorur edhe fondet e USAID për të forcuar influencat e veta”. “Për këtë 6 senatorë amerikanë i kanë kërkuar Departamentit të Shtetit që të ndërhyjë sa më shpejt”. Qeveria shqiptare tani kërcënon se “mund të rrezikojmë stabilitetin”. Kushti është ‘nëse na largoni…’
2.
Pse vërshojnë burokratët e BE drejt Tiranës në momentin kur po shikojnë se u lëshuan armët? Sepse nuk mund të pajtohen me mbarimin e Luftës në Tiranë. Knut Fleckenstein- një militant marksist i Hamburger-it dhe lider në organizatën e Soros, edhe pse me pak klasë shkollë, di të bëjë demagogji më mirë se Rita Marko. Ai ka kërcënuar sot se “nuk mund të ketë Shqipëria qeveri teknike”. Po të ketë qeveri teknike, për burokratin e BE- bien interesat e tij, ndoshta interesa droge, ndoshta interesa sorosiane, ndoshta interesa larje parash. Vetë BE si institucion nuk ka më asnjë kapacitet që të zgjidhë kriza; ai është në shpërbërje.
Pse vjen senatori amerikan John McCain në Shqipëri? Kjo vizitë sapo është paralajmëruar.
Ai është drejtor i Armatimit në komisionin e Senatit, ndërsa “armët” këtu janë lëshuar. Ka një shije të keqe kjo vizitë. Me siguri këta burokratët pa influencë të BE kanë lëshuar SOS te njerëzit e afërt të Soros në Amerikë. McCain, një nga republikanët më të egër kundër zgjedhjes së Trump, doli se kishte qenë klient i Soros dhe ishte paguar prej tij. (Breitbart News, 6 shkurt 2017). Influenca e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri është e vetme dhe vendimtare për zgjidhjen e krizës. Por, ama, influenca amerikane e Donald Trump. Ndërsa McCain (u gabofsha!) vjen për të ngatërruar rrymat e influencave: Republikan-po, në Senatin e Trump-po, nga Amerika… Me këto iu ngatërrojnë mendjen njerëzve. Dhe kjo e bën luftën të vështirë.
4.
Dhe e fundit që duket si për të qeshur: Sot, në ditën e vdekjes së diktatorit komunist, anëtarët e Partisë Komuniste janë rreshtuar me qeverinë post- komuniste që është e dorëzuar. Kjo lexohet si dobësi, por edhe si një sinjal që u jepet majtistëve ekstrem.
… Sidoqoftë, Lufta ka mbaruar; por prapë e vështirë. Sa e vështirë për qeverinë që ta pranojë, aq edhe për Opozitën që do të përballet me të gjitha interesat ndaj “arenës” ku ndodhin ngjarjet. Si mund ta lëshojë Soros, për shembull, këtë parajsë…, o parajsë droge, o parajsë fiskale, o parajsë për të kërcënuar rajonin për luftë?! Ose të gjitha të ndërthurura.
Këto janë tani para të gjithëve.
/Veritas.com.al/