Edi Rama e nisi ditën duke u lutur për shëndetin e Fatos Nanos, i cili prej një jave është i shtruar në spital në gjendje të rënduar shëndetësore.
Kryeministri i dedikon fjalët më të zgjedhura njeriut që e futi në politikë, një rrugëtim në të cilin shpejt u përplasën brenda partisë.
“Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik”
Rama i kujton kështu Fatos Nanos stacionet e pazakonta të jetës, nga lideri i parë i një partie që nga Komuniste u bë Socialiste, tek i burgosur për motive politike, në mesin e trazirave të 97-ës e deri tek forcimi i PS-së për t’u bërë alternativë qeverisëse.
“Ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme”
Duke i njohur kontribute të çmuara në ndërtimin e shtetit demokrat, frymën liberale në udhëheqje dhe urtësinë në momente kritike, Edi Rama i ka akorduar Fatos Nanos Medaljen me Yll të Mirënjohjes Publike.