Pavarësisht një afrimi momental në orët e vona të natës, në vetëm 0.8%, kandidati 70-vjeçar, Jean-Luc Melenchon, mbetet jashtë raundit të dytë, pasi ekipi i tij deklaroi se është e pamundur që ai të bëjë rokadë me Le Pen.
Kështu, me 27.6% të votave, rreth 3.5% më shumë se sa raundi i parë i vitit 2017, Macron renditet sërish i pari në raundin fillestar zgjedhor.
Melenchon nga ana tjetër, me 21.9%, u desh të dorëzohej përballë dy rivalëve, me diference të vogël.
Përtej këtij fakti, ky vit pa vetëm tre kandidatë kryesorë në garë, ndryshe nga viti 2017 kur në pozita shumë të forta ishte edhe Francois Fillon, i cili këtë vit nuk garoi.
I katërti në radhë, u rendit Eric Zemmour, me programin e tij të së djathtës ekstreme. Pas publikimit të rezultateve paraprake, Zemmour i bëri thirrje gjithë mbështetësve të tij për të votuar Le Pen në raundin e dytë.
Vetë kryetarja e partisë më të madhe të së djathtës ekstreme në Francë, deklaroi menjëherë me publikimin e exit-poll-eve, se “do të ishte presidentja e gjithë francezëve”.
Më i vetëpërmbajtur në parashikime ishte Macron, i cili u ndal më së shumti në kërkesa për popullin e tij se sa në deklarata fitoreje.
Ai i bëri thirrje qytetarëve për bashkim, duke mos lejuar të djathtën ekstreme të vijë në pushtet në Francë. Ndërsa, një adresim më të gjerë, do ta zhvillojë në Strasbourg gjatë ditës së sotme.
Ndërsa në vitin 2017 Macron arriti të mposhtë me diference shumë të madhe Le Pen-in, 66% kundrejt 33%, këtë vit parashikohet një garë më e ngushtë.
Melenchon u ka bërë qartësisht thirrje mbështetësve të tij të mos e votojnë Le Pen në asnjë lloj mënyre. Në kushte të zakonshme, kjo do të thotë se ata duhet të mbështesin Macronin në këtë garë.
Megjithatë, gjithçka këtë herë mbetet e hapur.