Liderët e vendeve anetare te NATO-s pritet që të arrijnë pajtueshmëri për një përforcim të madh të aleancës në krahun lindor, kur të takohen sot në Madrid.
Lufta në Ukrainë ka krijuar një atmosferë të re brenda aleancës perëndimore, pas disa viteve të mospajtimeve të brendshme dhe rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, në kohën sa Donald Trump ka qenë president i SHBA-së.
Presidenti francez Emmanuel Macron e ka përmendur më 2019 se NATO-ja po përballej me “vdekje të trurit”, teksa rriteshin dilemat për rrugën që po merrte aleanca.
Fundi kaotik i intervenimit 20-vjeçar të SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan, ka ndikuar pak, derisa lufta në Ukrainë ka vënë theksin te qëllimi kyç i aleancës: mbrojtja kolektive.
Pushtimi rus në Ukrainë “e ka bërë edhe më të qartë” sa e rëndësishme është NATO-ja për të ardhmen, ka thënë kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në nisje të takimit.
Përveç frymës së re, NATO-ja do të pranojë edhe anëtarë të rinj, pasi Suedia dhe Finlanda kanë vendosur të braktisin neutralitetin dhe të anëtarësohen në këtë aleancë, pas nisjes së pushtimit rus.
Turqia është pajtuar të martën që të heqë veton për anëtarësimin e të dyja këtyre shteteve në NATO, pas nënshkrimit të zotimeve nga Suedia dhe Finlanda për luftim të terrorizmit.
Ankaraja ka kundërshtuar anëtarësimin e këtyre dy shteteve për disa javë, duke i akuzuar për mbështetje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe YPG-së, një milici kurde me bazë në Siri.
Ankaraja i konsideron të dyja këto organizata si terroriste.
Të mërkurën, aleanca trans-atlantike pritet të arrijë marrëveshje për të pozicionuar më shumë pajisje afër Rusisë, përfshirë armët e rënda, të rrisë numrin e trupave të NATO-s në Evropën Lindore dhe të rrisë numrin e forcave në gatishmëri të lartë nga 40,000 në 300,000.
Aleatët e NATO-s janë ende duke finalizuar përbërjen e trupave që do të angazhohen në Evropën Lindore, pasi disa vende anëtare dëshirojnë të shmangin bazat e përhershme për shkak të kostove të mëdha.
Baltiku, sidomos Estonia, kanë shtyrë NATO-n që të ndryshojë taktikat pas pushtimit rus në Ukrainë dhe që të sigurojë mbrojtje të plotë të territorit në Evropën Lindore.
Aleanca perëndimore me 30 vende anëtare, pritet të pajtohet edhe për një koncept strategjik që vë në pah misionet dhe detyrat e NATO-s.
Përditësimi i fundit i politikave është bërë më 2010.
Aty pritet që Rusia të kategorizohet si kërcënimi më i madh për NATO-n në 10 vjetët e ardhshëm, si dhe të përmendet Kina për herë të parë.
Vendet partnere të NATO-s në rajonin e Indo-Paqësorit – Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja Jugore – janë duke marrë pjesë në samit, një shenjë se lufta në Ukrainë ka marrë gjithë vëmendjen e aleancës.
Vendet anëtare të NATO-s po planifikojnë që të tregojnë përkushtim se do t’i ndihmojnë Ukrainës në periudhë afatgjatë me pajisje, trajnim dhe modernizim të pajisjeve ushtarake të periudhës sovjetike./Radio Evropa e Lirë/