Frrok Çupi
Normalisht, ne tani duhej të ishim të gjithë kundër mafies. Por çudi, dukemi sikur shumica jemi me mafien. Edhe pse si shumicë nuk jemi përfitues në mafie a në krim tjetër, përkundrazi, varfërohemi e shëmtohemi prej mafies… Normalisht duhej të ishim shumicë kundër pakicës së pakicave që na ka grabitur pasurinë për tre dekada. Shqipëria- sipas studimeve të huaja- ka rreth 80 miliardë dollarë, ku përfshihet edhe floriri I rezervave- të fshehura nën dhè nga shtetarët mafiozë, dhe megjithatë as përballë këtij tmerri nuk jemi shumicë.
Pyetmë mua, ty, tjetrin një nga një, ‘a jemi me mafien?’ – përnjëherë do të kërcejmë ‘ça thua ti ore? … Por në fakt shumica duken me mafien
Si na e ka marrë mafia shumicën tonë?
Në radhë të parë duke ndërtuar partitë. ‘Don-ët, siç thotë ish kryeministri- një njohës mirë i strukturave; dmth., bosët e mafies, janë të regjur, ata kanë bërë parti dhe tani me partitë duket se bëjnë shumicë. Për shembull, a mund të jetë ushtar i LSI ai atje nëse nuk do t’i varej leitnantit që ka sipër; pastaj leitnanti i varet zëvendës- bosit, dhe bosi mban monopolin e popullit. Bosi mund të thërrasë popullin që të luftojë kundër popullit, siç ka ndodhur kohët e fundit.
Ky është miti Suprem i mafies: Mafien e do populli.
Para këtij miti mund të na bjerë rrufeja të gjithëve një nga një; sapo të shikojmë së populli është me mafien. Ja ku jemi: Masat që ka ndërmarrë Amerika ose edhe shteti për të mundur mafien, shpesh herë më duken më minore se piramida e mafiozëve. Ditët e fundit na kanë provuar se Amerika edhe shteti janë tërhequr (ndoshta taktikisht, por janë tërhequr) për arrestimin e mafiozit iks, ose për sekuestrimin e pasurisë mafioze, ose edhe për shkarkimin e presidentit që shkel mitin e ligjit. Shteti dhe Amerika mund të kenë frikë vetëm popullin, nëse populli do të mbrojë mafien, prandaj tërhiqen.
Deri në kupolën ku qëndron miti se ‘mafiozët i do populli’, vetë mafia ka ngritur mite shkallë- shkallë.
1.
Miti se Mafia është e ndershme.
A i shikoni, nuk ka prej tyre pa këmishë të bardhë e kostum të ngrirë. Por gjuhën e kanë shumë popullore, deri në mosdije. Para pak vjetësh tjetri ka qenë kapter në ushtri ose telefonist në qytet. Këta nuk bëjnë punë të pista, as shpërndajnë drogë…, por dominojnë tregun e drogave të Turqisë ose të Italisë. Po të jenë mafiozë të huaj bëjnë shenja dashurie për popullin shqiptar, mund të japin para edhe për shërimin e një fëmije në periferi. Këta janë të mirë dhe i do populli. Nëse ti i zbulon, atëherë e ke keq punën, jo me këta, por me popullin.
2.
Miti i kodeve të shenjta…
Në radhë të parë mafia hesht, nuk thotë gjë, nuk jep asnjë provë. Në vendin tonë kodi i heshtjes së mafies u shfaq dominues në vitin 1996- 97, me piramidat financiare. Piramidat u ngritën nga shteti dhe u bekuan nga shteti. Populli i quante piramidat të bekuara dhe lumturohej, deri ditën kur u zhyt në mjerim e në gjak. Bosët e piramidave, që në fakt ishin rreshterë ose ushtarë të mafies, u zgjodhën njerëz pa gojë: ose nuk flisnin vetë, ose nuk dinin të flisnin asnjë fjalë, ose ishin budallenj e thonin broçkulla pa dëm. Piramida e shtetit i kishe nisur në rrugë për ndërtimin e ‘kapitalizmin shqiptar’ që përkthehej në mafie të fshehtë.
Pse kërkohet ose shpallet sot e kësaj dite nga piramida ëndrra se ‘do të kthehemi në vitin 1997’? Sepse është metoda që ka dhënë më shumë rezultat për mafien ‘popullore’. Në atë rast gjithë populli ishte me mafien e piramidave’; ky është çelësi i fatkeqësisë.
3.
Miti i familjes
Jo vetëm këtu, por edhe në Ballkan, mafia është e ndërtuar sipas skemës së fisit e të familjes. Në shoqërinë klanore imponohet nder dhe gjakmarrje- që bëjnë lëndën e parë për mafien. Në këto 30 vjet janë ndërtuar dy lloje familjesh mafioze: Ato që shpesh herë vrasin njëri- tjetrin ose i kap Policia; dhe e dyta: Familja që nuk e kap ligji. Kjo e dyta janë partitë politike. Merr për shembull, partinë e dytë për nga madhësia, dhe parti e parë për nga fjala aktuale ‘demokraci’: Partia Demokratike nuk ka asnjë qelizë ku nuk është i thurur klani dhe familja. Jo vetëm i biri i këtij e dhëndëri i tjetrit… Por familja e komunistëve të frustruar është aty; edhe familja e të korruptuarve të mëdhenj në qeverisjen e kaluar- aty. Pastaj vjen lidershipi në formën kanunore. Ka lider të zgjedhur; ka Këshill të pazgjedhur por që kontrollon të zgjedhurit; ka edhe lider suprem. Pastaj vijnë nënbosët, leitnantët dhe ushtarët që nuk kanë asnjë lek por që vrasin për bosët. Në këtë qerthull nuk e gjen dot kurrë thelbin. Opozita në fakt nuk është opozitë, por pushtet i degraduar nga korrupsioni dhe është vënë në anën e mafies. Sapo dëgjohet se preket mafia, menjëherë do të mbledhë mijëra në sheshin e Tiranës për të mbrojtur ‘Kushtetutën’.
Provo po të duash preke; as Amerika nuk po e bën dot…, kam frikë.
4.
Media. Kush provon t’i kundërvihet mafies, do të vritet.
A është media një qen roje për mafien? Kam frikë se një pjesë e madhe e saj nuk ka më as zinxhirë. Edhe sikur mafiozin ta nxjerrës nga media e tij, ai afrohet te gardhi e ndërsen gazetarët: ‘Ej, kurajë, luftoni se do të fitojmë!’. Në deantologjinë e medias perëndimore thuhet se ‘gazetari, po të shihet në kafe me politikanin, nuk është më i besueshëm’. Ndërsa këtu e kanë mësuar gazetarin që t’i lëpihet edhe mafiozit. Gazetaria ‘qen roje’ mund të fundosë jetën e njeriut që guxon të thotë të vërtetën, por po na rrënon edhe gjithë kombin. Mafia ka medien e saj. Nëse një mafioz i huaj i sulet kombit, gazetarët e vihen në anën e atij atje. Nëse prek bosin e atij në ekran, ta dish se do të të bëjë copë- copë: të quan komunist, nazist, spiun, dhe të shan varrin e të parëve… Këtu mblidhet populli mbrëmje për mbrëmje, dhe krijohet skema sikur populli është me mafien.
5.
Miti ynë, që nuk jemi mafie:
A ka zot, nëse dështojnë drejtësia jonë njerëzore dhe vetë Amerika, kësaj here?! Kjo është çështja jonë mit.
VERITAS.COM.AL/