Konferenca e Donatorëve që siguroi një shifër që tejkalon 1 miliard eurot ishte një sinjal i fortë i solidaritetit të komunitetit ndërkombëtar ndaj Shqipërisë së goditur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Por dha edhe sinjalin që vendi ynë dhe ato fqinj duhet të fillojnë të mendojnë në mënyrë më sistematike për të përballuar fatkeqësitë natyrore. Ky është edhe mendimi i Majlinda Bregut, që si sekretare e Përgjithshme e Këshillit të bashkëpunimit rajonal ka ndjekur nga Brukseli të gjithë procesin.

“Ishte ndjesi  e dyfishtë, nuk mund të mos kishe emocion duke qenë shqiptare, duke dëgjuar fjalimin prekës të presidentes Von der Leyen”, thotë Bregu në lidhje me A2, që gjykon rezultatet e Konferencës si “një mesazh konfortues për gjithë  shqiptarët që këto muaj janë detyruar të jetojnë në pasiguri”.

Por për Bregun një tjetër sinjal i qartë është fakti që “asnjëri prej vendeve të Ballkanit perëndimor, 18 milionë banorë,  nuk mund të përballojë i vetëm një fatkeqësi natyrore”. Për këtë arsye lind e domosdoshme ideja për krijimin e një mekanizmi rajonal “ një Qendër Rajonale të Emergjencave Civile”, siç e quan Bregu, që të mundë të reagojë në mënyrë efektive ndaj këtyre rasteve që në rajon po përsëriten gjithmonë më shumë.

Ditët e Brukselit dhanë edhe sinjale në drejti të procesit të zgjerimit të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Europian.

Sipas Majlinda Bregut, vendimi që i “preu këmbët” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në tetor “ndoshta ka vlejtur për të shkundur të gjithë në bindjen që dëmi më i madh për BE-në nuk është përfshirja e Ballkanit perëndimor dhe perspektiva për anëtarësim, por lënia mënjanë e tyre, duke krijuar një ishull që për shkak të problemeve ekonomike, të qeverisjes dhe të sigurisë mund të krijojë më shumë probleme”.

Ekziston tashmë ideja e një metodologjie tëre me të cilën do të përballen vendet që kërkojnë integrimin, por për Bregun “ bashkimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në nuk është çështje metodologjie, por vullneti politik”.

Edhe pse frika e një pozicioni ende të ngurtë të Francës, “ që ka zgjedhje vendore në mars” , dhe të disa vendeve të tjera është ende e mundur, Bregu shpreson që të ketë vendim pozitiv, si rezultat dhënies peshë të kredibilitetit nga të dy palët, nga vendet e BE për të mbajtur premtimet dhe nga vendet kandidate për të vijuar reformat”.

Veritas.com.al