Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar dënimin maksimal të shoferit të makinës X6 që përfundoi ditën e sotme mbi digën e liqenit, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj apelon për respektim të rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve.
“Tani çdo gjë është kthyer në normalitet, por shpejtësia skëterrë e shoferit (jo e makinës – sepse makina s’ka vendimarrje në çmenduri) që përfundoi mbi digën e Liqenit, rrezikon qytetarët, por edhe vetë të lojturin që veç bordura e shpëtoi nga mbytja në Liqen!
Bashkë me Policinë e Shtetit, kemi mbledhur provat dhe do të kërkojmë dënimin maksimal për shoferin tashmë në kërkim – zero tolerancë për kërcënuesit e jetës dhe bashkëjetesës në qytet,” shkruan Veliaj.
Janë publikuar pamjet e aksidentit që ndodhi mëngjesin e sotëm në Liqenin Artificial të Tiranës.
Siç shihet edhe nga video , mjeti luksoz BMW X6 që drejtohej nga 26-vjeçari Eldi Allushi ka qenë duke ecur në rrugën e ‘Kosovarëve’ dhe më pas është ngjitur në maloren që ndan aksin me shëtitoren e liqenit me shpejtësi të lartë.
Mësohet se i riu ka qenë me shpejtësi mbi 250 km/h, teksa shtoi se është parë të largohej i lënduar nga dëshmitarët okularë.
Eldi Alushi në momentin e aksidentit ka qenë në gjendje të dehur dhe pas aksidentit ka braktisur mjetin dhe është larguar nga vendngjarja.
Makina e braktisur është pa targa, ndërsa policia po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.