Është shtyrë për ditën e nesërme seanca në Apelin e GJKKO-së për shqyrtimin e ankimit të Jamarbër Malltezit që kërkon heqjen e sekuestros ndaj pasurive. Seanca do të zhvillohet ditën e nesërme datë 24.11.2023, ora 12:00.
“Duke iu përgjigjur interesit të lartë të medias dhe publikut, mbi zhvillimin e seancës gjyqësore të datës 23.11.2023, ora 09:00, mbi çështjen penale nr. 168 akti, datë 13.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit/personit nën hetim J.M. dhe palës së interesuar A.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 410, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar mbi vendosjen e sekuestros preventive mbi sendet, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, informon se trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, urdhëroi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datë 24.11.2023, ora 12:00”, thuhet në njoftimin e GJKKO.
SPAK ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Ilirjana Olldashit, me argumentin e konfliktit të interesit.
Sipas shortit të datës së sotme, kërkesën për përjashtim do ta shqyrtojë gjyqtarja Miliana Muça.
Jamarbër Malltezit i janë sekuestruar 25 pasuri, ndër to apartamente, një vilë, 6 llogari bankare dhe aksione në kompani.