Koronavirusi i ka marrë deri më tani jetën 81 personave në Kinë, ndërsa raportohet se virusi ka ardhur në Europë pasi janë konfirmuar disa raste. Megjithatë Shqipëria mbetet një vend me rrezik të ulët që të preket nga ky virus i ri. Deklaratën e lëshoi këtë të hënë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë mbledhjes së task-forcës me ekspertët.
“Nga raportimi i fundit që kam nga strukturat tona nga ISHP, Shqipëria mbetet një vend me rrezik të ulët sa i përket depërtimit të koronavirusit të ri. Duke qenë se është një risk eminent Shqipëria po merr masa për mbrojtjen dhe kontrollin ndaj këtij virusi”, tha Manastirliu.
Ajo u shpreh se është bërë gati një plan masash për përgatitjen ndaj emergjencës për reagimin e infeksioneve virale sipas shkallës së rrezikshmërisë.
“Aktualisht ISHP ka përforcuar survejancën e infeksioneve të rënda respiratore akute në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit. Është përgatitur përkufizimi i rastit, udhëzimet për survejancën, hetimin epidemiologjik dhe menaxhimin e rasteve në përputhje me rregulloren ndërkombëtare të Shëndetit. Sipas rekomandimeve të OBSH-së, Komiteti i Posaçëm i mbledhur para pak ditësh në OBSH nuk e ka shpallur situatën një emergjencë ndërkombëtare, por është në monitorim dhe pritet të ketë një tjetër mbledhje në ditët në vijim”, tha Manastirliu.
Ministrja u shpreh se çdo veprim i Institutit të Shëndetit në vendin tonë po kryhet në koordinim me Organizatën Botërore të Shëndetit. Fakti që ne nuk kemi linja direkte me Kinën në aeroportin e Rinasit e bën vendin tonë një vend më të sigurt, tha ministrja.
“Edhe pse në lidhje me interferencën, me udhëtimet dhe tregtinë ndërkombëtare OBSH-ja nuk rekomandon ndonjë kufizim të udhëtimeve bazuar në informacionet aktuale ne kemi marrë masat për të rritur survejancat në pikat e kalimit kufitar aeroport me njësinë tonë të përhershme të shëndetësisë. Duhet thënë se duke mos patur linja direkte ajrore me Kinën jemi në risk më të ulët se vendet europiane. Megjithatë siç do vend kemi marrë masat përkatëse edhe në aeroportin e Rinasit”, tha Manastirliu.
VERITAS.COM.AL/