Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë debatit në Kuvendin e Shqipërisë me liderin e selisë blu, Lulzim Basha, i ka kujtuar këtij të fundit çështjen “Toyota Yaris”.
“Prokurorët belgë ndodhen në Tiranë dhe do të të marrin në pyetje”, tha Manja, drejtuar Bashës.
Kreu i PD-së nga ana tjetër u kundërpërgjigj me ironi duke i thënë Manjës “që të çojë cigare dy shokëve të tij në burgun 313, Kokës dhe Tahirit”.
Sipas burimeve zyrtare, një grup hetimor ka mbërritur në Tiranë, për të shqyrtuar edhe një herë çështjen “Toyota Yaris”.
Sa u përket hetimeve, Gjykata e Tiranës më 19 tetor ka dënuar me një vit e gjashtë muaj burg Ervis Vladin.
Kjo për sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në dy mjetet tip “Toyota Yaris”.
Këto të fundit kishin mbërritur në Portin e Durrësit nga Belgjika.
Vladi ishte një ndër gjashtë personat, të cilët u hetuan për këtë çështje.
Fillimisht të gjithë u hetuan për pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal.
Por, Gjykata e ka dënuar Vladin, duke e shpallur dhe fajtor për veprën penale “mosdeklarim të ardhurash në kufi ose sendeve me vlerë”.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të dënohet me vetëm një vit burg.
Çfarë ka ndodhur më tej?
Në të njëjtën dosje u dënua edhe Agim Çeka për “armëmbajtje pa leje” me dy vjet e katër muaj heqje lirie.
Në qershor të vitit 2018, policia gjeti dhe sekuestroi dy makinat, ku u gjend dhe shuma e parave.
Kjo çështje ka trazuar dhe politikën në atë kohë. Kreu i demokratëve Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit deklaronte për miliona euro të krimit, që po vinin në Shqipëri përmes automjeteve “Toyota”.
Tre ditë pas deklaratës së Bashës – në Durrës u kapën dy makina “Toyota Yaris” me disa miliona euro brenda tyre.
3 persona u arrestuan, dy shoferët dhe administratori i kompanisë që transportoi makinat.
Fillimisht, hetimet nisën nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ajo arrestoi dhe nxori masa sigurie për gjashtë persona si të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.
Por, më pas, Prokuroria shpalli moskompetencë dhe e kaloi dosjen në Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit vlerësoi se nuk qëndronte akuza e mosdeklarimit të të hollave në kufij për të gjithë personat.