Nga Artur ZHEJI/ 360 Gradë.al

Ore zotërinj, që lëshoni bajga ndër fb-ra e gjithkund mundeni nëpër tv-rat e vërrat, që ju vendosin një mikrofon-akullore në gojë, të cilat i pështyni, tre herë në ditë…

Jemi sot, falë jush, “larg Europës edhe një vit, të paktën me fjalë, sepse pas 1 viti, diskutimi është i hapur nga e para”, pse nuk fshihni kokën diku po fishkëlleni si gjarpëri?…

Dhe fill më pas fillojnë diskutimet e çartura sipas variantit: “Pordhë me rigon” që thonin tironsit dikur, apo në variantin modern: “Sa gëzim se kemi një datë të saktë se kur do të avitemi për në ‘Evroqi’, në vitin 2019…”

Pordhëri e paparë fjalësh.

Ore ky populli shqiptar, kaq idiot pandehet të jetë?

Nëse është kështu është një tmerr pa fund dhe më mirë të vijë një fund i tmerrshëm, se sa ky tunel, krejt pa ditë në fund të vet.

Ky vend është i tëri i bllokuar, as reformë në drejtësi dhe as drejtësi të drejtë askund e kërkund.

Arrogancë dhe grabitje sipas variantit: “E marr unë, se jam në pushtet dhe më përket dhe pikë!”

Toka, para të thata, burime energjetike, tendera, evazion fiskal për miqtë dhe burg për armiqtë politikë, zhvatje dhe vetëm zhvatje…

Të paktën na lini me ajrin që kemi, mos e mbytni me pordhërime, se të vjellat e popullit do mbushin rrugët dhe do t’ju hyjnë shpejt a vonë nëpër vila e rezidenca.

Më kujdohet një anektodë që më thoshte dikur im Atë, që i ndrittë shpirti:

“Njëherë mbreti i Francës, vendosi të dalë në dritare e të përshëndesë popullin që brohoriste për shëndetin e gjakpirësit të vet me të madhe” m’rrëfente Petro në vegjëlinë time.

“Oborrtarët u habitën me këtë vendim të mbretit të Francës dhe u bënë gati të hapnin dritaret e pallatit që naltmadhnija të përshëndeste katunarët e Provincës. Mirëpo u habitën sepse mbreti hoqi brekët dhe nxorri bythën në dritare! Populli u gëzua pa masë sepse nuk e kishte parë kurrë mbretin më parë dhe lumturisht u kthyen nëpër katundet e veta…” vijonte Petro im Atë.

“Skuptojnë gjë këto kafshë se si duhet të jetë mbreti!…” thuhet t’u ketë thënë naltmadhnija oborrtarëve që u tmerruan nga frika se mos ftohej byth’e mbretit, nga ajri i freskët parizian.”

“Kurse një nga katunarët e kthyer nga Parisi në shpi t’vet, në të vërtetë i rrëfeu gruas:

– Pashë Mbretin!

– Si ishte Mbreti i bukur? – e pyeti ajo.

– Më i bukuri që kam parë! – u përgjigj me mburrje katunari i Francës.

– Vetëm se, të gjithë e kanë gojën për së gjëri, ai e kishte për së gjati! Një Mbret i vërtetë! – ish përgjigjur katunari, që e kish pandehur në të vërtetë bythën e mbretit, për kokën e mbretit…” e mbylli tregimin e vet në kohën e diktaturës babai im erudit dhe trim.

Unë u mërzita shumë për popullin francez dhe për të gjithë popujt që u gëzohen “bythës” që mbretërit e tyre u rrëfejnë me guxim, sikur të ishte një kokë mbretërore. Petro e kuptoi në ajër trishtimin tim dhe shtoi menjëherë në mënyrë ngushëlluese:

– “Por, mbas pak kohësh, francezët nuk i prenë bythën, por kokën e vërtetë mbretit të Francës në gijotinë!…”

 

Ej, ju të pushtetit, futeni bythën brenda se e bëtë Bythistan këtë Shqipëri të mjerë dhe askush nga shqiptarët që ju majmin ditë pas dite me pasuritë që i grabisni, nuk e meriton këtë… se në të vërtetë “ata”, populli, e dinë se ku e keni kokën, kur ajo, do t’ju duhet atyre, në ditën e gjykimit që po afron…