Nga: Eleni Sourani, ambasadore e Greqisë në Tiranë

Në kalendarin tonë kombëtar, 25 mars 1821 shënon ringjalljen e kombit tonë pas 4 shekujve të sundimit Otoman. Frymëzuar nga Lufta Amerikane e Pavarësisë dhe Revolucioni Francez, grekët ishin të sigurt se, pavarësisht të gjitha mundësive, liria ishte afër.

Të gjitha forcat e kombit grek, si në diasporë ashtu edhe në Greqinë e skllavëruar, u mobilizuan për të përgatitur revolucionin dhe u bashkuan nën sloganin e përbashkët “Liri ose vdekje”.

Lufta titanike frymëzoi poetë, autorë dhe piktorë ne gjithë Europen. Ajo mobilizoi një lëvizje filohelene në Evropë dhe në SHBA.  Mijëra filohelenë nga e gjithë Europa morën pjesë në luftën e pavarësisë së Greqisë dhe shumë humbën jetën.

Pas 8 vjetësh, u themelua shteti i parë i pavarur kombëtar në Gadishullin Ballkanik, duke ndryshuar përfundimisht peizazhin politik të Europës Juglindore.

Në gati 2 shekuj të ekzistencës së saj si shtet i pavarur, në kohët moderne, Greqia përballoi turbullira, fatkeqësi, luftëra, por gjithashtu edhe momente të lavdishme e të begata. Në të gjitha rastet, të mira apo të këqija, 25 Marsi ishte burimi nga i cili morëm forcë dhe këmbëngulje për të vazhduar udhëtimin tonë në histori.

Politika jonë e jashtme u formua gjithashtu nga parimet e 25 marsit: liri, dinjitet njerëzor, supremacia e së drejtës ndërkombëtare dhe respektimi i të drejtave dhe sovranitetit të të tjerëve. Duke qenë një vend i Mesdheut Juglindor, në udhëkryqet e tre kontinenteve, Greqia ka marrëdhënie shekullore me vendet dhe popujt e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut dhe ka zhvilluar një numër bashkëpunimesh që synojnë të nxisin stabilitetin në një nga zonat më të ndjeshme të botës.

Në lagjen tonë, Greqia, duke qenë anëtare më e vjetër e BE-së dhe NATO-s, ndjen një përgjegjësi të veçantë për të promovuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë.

Marrëdhëniet tona me Shqipërinë janë të veçanta, sepse ato janë me rëndësi për qindra mijëra njerëz në të dy anët e kufijve tanë. Ato janë të rëndësishme për mijëra emigrantë shqiptarë që filluan një jetë të re në Greqi; ato janë gjithashtu të rëndësishme për Minoritetin etnik grek indigjen, më i madhi në Shqipëri; ato janë të rëndësishme për të gjithë ata që kanë marrëdhënie profesionale ose personale me anën tjetër të kufirit. Për shkak të kësaj marrëdhënieje unike, Greqia kujdeset për stabilitetin, prosperitetin dhe rrugën europiane të Shqipërisë, të cilën ajo e ka mbështetur vazhdimisht. Progresi i dukshëm dhe i pakthyeshëm në 5 prioritetet kyçe është i rëndësishëm para së gjithash për qytetarët shqiptarë, të cilët meritojnë një vend ku mbizotëron sundimi i ligjit, ku respektohen të drejtat njerëzore dhe pronësore dhe ku kriminelët duhet te jene atje ku duhet. Në këto përpjekje, Greqia, së bashku me partnerët e tjerë të BE-së, mbetet një përkrahës dhe mbrojtës i palëkundur i procesit reformues të Shqipërisë.

Dy qeveritë tona, Greqi e Shqipëri,  vazhdojnë dialogun duke synuar ngritjen e marrëdhënieve në një nivel edhe më të lartë. Unë jam e bindur se, me angazhimin e patundur dhe vullnetin politik të vendeve tona, ne mund të arrijmë rezultatin e suksesshëm të këtij procesi. Kjo është ajo që dëshirojnë popujt tanë dhe ajo që ka nevojë fqinjësia jonë.

Veritas.com.al/