Pas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, mësohet se 12 persona kanë përfunduar në pranga pasi i kanë shkaktuar 2 mln euro dëm ekonomik shtetit shqiptar duke shmangur detyrimet tatimore.

Mësohet se këtë të Mërkurë është finalizuar operacioni i koduar “collaborazione” në kuadër të të cilit Gjykata e Tiranës ka caktuar “arrest me burg” për 12 persona (3 shqiptarë dhe 9 shtetas italianë).

Rezulton se këta persona kanë në mundur të organizojnë një strukturë të mirfilltë kriminale me qëllim të vetëm përfitimin me anë të shmangies së detyrimeve tatimore, duke kryer aktivitet në fushën e shërbimeve të konsulencave.

Faturimi i dyshuar fiktiv i këtyre konsulencave është kryer nga subjekte ‘Persona Fizik’ në subjekte SH.P.K (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara), ku më pas këto të fundit (subjekte SH.P.K) këto shërbime i kanë eksportuar (shitur) në shtetin Italian. Duke rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, është bërë e mundur barazimi i tyre me të ardhurat dhe në këtë mënyrë vlera e detyrimit të tatim fitimit për tu paguar del më e ulët, duke shmangur kështu detyrimin real që lind nga tatim fitimi.

Nga ky aktivitet kriminal, nëpërmjet subjekteve fiktive, kanë mundur të përfitojnë nga rritja fiktive e shpenzimeve, deri në këtë fazë të hetimeve, një vlerë të llogaritur prej 471,778,384 lekë, duke i shkaktuar kështu një dëm monetar dhe financiar shtetit Shqiptar në vlerën rreth 2 milion Euro.

Dyshohet se në këtë veprimtari kriminale janë të përfshirë persona dhe subjekte të tjera, si dhe funksionarë të administratës shtetrore, për të cilat vazhdojnë hetimet dhe veprimet proceduriale për të dokumentuar të gjithë veprimtarin kriminale.

Ky aktivitet kriminal dyshohet që shtrihet edhe në shtetin Italian, aty ku edhe operojnë përfituesit kryesorë, të cilët janë subjekte që përfitojnë të gjithë vlerën e shërbimeve të dyshuara fiktive të konsulencës, e cila përllogaritet mbi 6 milion Euro. Po punohet që hetimet të shtrihen edhe në shtetin Italian.