Nga: Veritas.com.al/
Sot kryeministri Edi Rama ka trokitur q në mëngjes në derën e aleatit Ilir Meta- kryetar i LSI në koalicion dhe kryetar i Kuvendit. Akoma nuk kishte mbaruar jehona e një darke shumë të gjatë të shtruar me prodhime deti në Pazarin e Ri. Darka zgjati deri në ora 4 të mëngjesit, kur reporterët dhe kameramanët i kishte këputur gjumi në trotuare. Për nga zhurma dhe kohëzgjatja mund të krahasohet me një dasmë.
Edhe në një kuptim tjetër darka e peshkut mund të krahasohet me një dasmë: Në kuptimin që pasi ndahen krushqit, njëri prej tyre nuk mund të kthehet përsëri e të “kërkojë nusen”.
-Nusen që kisha ta dhashë!- mund të thoshte krushku ose konkretisht Ilir Meta- dhe t’i mbyllte derën. Derën edhe mund të mos e mbyllë, por të paktën i lë për të nënkuptuar se kjo “nuk është burrëri; sapo del nga shtëpia, kthehesh prapë”.
Këto janë traditat ku bazohet he duhet të bazohet edhe politika.
Mirëpo kryeministri, zoti Rama, akoma pa u mbyllur jehona e “dasmës”, sot në mëngjes trokiti përsëri në derën e Ilir Metës. Ky nuk i tha se nuk të pres, por me siguri mori mesazhin se nuk ka pse troket më.
Takimi zgjati 90 minuta. Është biseduar mbi krizën politike, që sipas të gjithë aktorëve të tjerë, ka vetëm një zgjidhje: Tërheqja e Edi Ramës si kryeministër dhe krijimi i qeverisë teknike. Pas kësaj hapet rruga për shtetin dhe demokracinë: Bëhen zgjedhjet, zgjidhet presidenti i Republikës, fuqizohen dekretet dhe aftësia e zbatimit të ligjit…
Duket se të gjithë faktorët ndodhen në këtë rrugë, përveç kryeministrit Rama. Ilir Meta i LSI dhe i Kuvendit ka thënë se “nuk shkoj në zgjedhje pa opozitën” dhe se “duhet një qeveri e besimit për votën”. Ai ka vënë në epsi edhe mandatet e ministrave të LSI me idenë “ja ku janë, merrini dhe hapim rrugë”. Por LSI për qeverinë në këtë moment është faktor vendimtar.
Megjithatë, kryeministri Rama ka tentuar të mbledhë deputetë për të bërë 71, por kjo nuk ecën. Ka tentuar edhe me partitë e tjera aleate. Por asgjë.
Sot, pasi la derën e mbyllur të Ilir Metës, zoti Rama iu drejtua Shpëtim Idrizit- kryetar i një partie tjetër që bën punë si King- Maker: PDIU. Ehe ai e mbylli derën nga brenda. “Jo- tha- nuk bëj aleancë për zgjedhje pa opozitën!’.
Maxhoranca, që sot nuk ka derë tjetër ku mund të trokasë kryeministri. Kur nuk ka ku troket në “shtëpinë e vet” qeveria ka rënë në fakt.
Ka mbetur vetëm dera e Opozitës. Rama ka kërkuar dialog me Opozitën. Opozita mund të hapë derën e dialogut, por aty pret një laps e një letër për të nënshkruar “qeveri teknike dhe zgjedhje të ndershme”.
Përfundoi takimi mes Edi Ramës dhe Ilir Metës në zyrën e këtij të fundit në kryesinë e Kuvendit. Takimi vjen pasi Edi Rama ftoi dy herë brenda ditës Lulzim Bashën për t’u ulur në tryezën e dialogut. Nuk dihet nëse në këtë tryezë është i ftuar edhe Ilir Meta, por takimi i sotëm duket si tentativa e fundit e Ramës për të mos mbetur në dorë të Lulzim Bashës, që pas 47 ditëve në çadër nuk ka ndërmend të lëvizë nga qeveria teknike.