Mbërrin në atdhe trupi i pajetë i major Klodian Tanushit, Dëshmorit të atdheut, i cili u vra në krye të detyrës ndërsa ishte me mision në Letoni.
Arkivoli i mbuluar me flamurin e kuq mbahet në krahë nga kolegët e tij, ndërsa në aeroportin e Rinasit kanë dalë për ta pritur, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shefi i shtabi i FA, prindërit, bashkëshortja, djali i madh dhe kolegë të tij.
Trupi i major Tanushit do të përcillet në varrezat “Dëshmorët e Kombit” ku edhe do t’i jepte lamtumira e fundit.
Shpërthimi i një mine në kampin “Adazi” të Letonisë u mori jetën dy ushtarakëve shqiptarë, Zarife Hasanaj dhe Klodian Tanushit, i cili ishte komandant i kontigjentit shqiptar. Major Tanushi ndërroi jetë katër ditë pas ngjarjes së rëndë në një nga spitalet e Letonisë për shkak të lëndimeve të shumta.
Këshilli i Ministrave ka shpallur ditë zie kombëtare ditën e enjte 16 Maj 2019. Në nder të major Tanushit që humbi jetën gjatë misionit të NATO-s, komandant i kontingjentit shqiptar në Letoni, ditën e enjte në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.
Klodian Tanushi:
Major Klodian Nikolla TANUSHI lindur në Dibër më 31.10.1980, fëmija i pare i familjes Tanushi. I martuar dhe me tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.
Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin “Motorist xhenerik”. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake Skëndërbej. Ka kryer kurse funksionale EOD Niveli I-re “Për asgjesimin e municioneve me eksploziv”
Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Awareness Instructor Course”. Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”.
Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si: Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni, Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD.
Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.
Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forces, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes.
Veritas.com.al/