Drejtori i Administratës së të Ardhurave dhe Doganës në Mal të Zi, Rade Millosheviç, është arrestuar më 1 tetor me urdhrin e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Shtetit. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin e një zinxhiri, që ka kontrabanduar një pjesë të cigareve që u konfiskuan këtë verë në Zonën e Lirë Doganore në Portin e Barit.
Zyra e Prokurorisë së Posaçme beson se një pjesë e pakove të cigareve që nuk u dogjën, ashtu siç ishin raportuar në dokumentet e Administratës së të Ardhurave dhe Doganës, ka përfunduar në zinxhirin e kontrabandës.
Në ngjarjen ku u dogjën cigaret, që u zhvillua më 30 shtator, kishte marrë pjesë edhe kryeministri Abazoviç dhe Millosheviç, i cili kishte deklaruar se shkatërrimi i cigareve i kryer nga Administrata e të Ardhurave dhe Doganës, paraqet një goditje të madhe për grupet kriminale të përfshira në kontranandimin e cigareve.
Në mesin e vitit, po e njëjta administratë kishte organizuar shkatërrimin e cigareve në fabrikën në Javorak. Një orë para se të njoftohej arrestimi i Millosheviçit, kryeministri Abazoviç dhe ministri i Brendshëm, Filip Anzhiq, mirëpritën aksionin e Zyrës së Prokurorisë së Posaçme në parandalimin e kontrabandimit të cigareve. Millosheviç është zyrtar i lartë i Lëvizjes Qytetare URA të Dritan Abazoviçit, i cili është kryeministër teknik i Malit të Zi./ REL